Meksikë, shpërthim në fabrikë, të plagosur

25/10/2013 02:25

Një kazan ka shpërthyer në një fabrikë karamelesh të zotëruar nga Amerika në veri të Meksikës, duke shkaktuar rrëzimin e tavanit dhe duke plagosur të paktën 42 persona dhe mbi 20 të tjërë të zhdukur, bënë të ditur zyrtarët.

Rreth 300 njerëz ishin duke punuar në fabrikën “Blueberry”, kur shpërthimi i fuqishëm tronditi edhe katin e dytë të saj gjatë së enjtes, në Ciudad Juarez, një qytet kufitar me shtetin amerikan të Teksasit, sipas raportimeve zyrtare.

“Jemi duke kërkuar për njerëz nën rrënoja. Momentalisht bëhet fjalë për rreth 20 të zhdukur”, tha zëdhënësi i qeverisë lokale, Guillermo Terrazas për agjencinë e lajmeve AFP.

Korrespondenti i al-Jazeera-s nga Mexico City tha se rapotimet lokale bëjnë të ditur për rreth 51 të plagosur, nga të cilët 11 në gjendje kritike, pasi janë ekspozuar ndaj djegieve të gradës së dytë dhe të tretë.

Shefi i mbrojtjes civile, Fernando Motta Allen, tha se 10 nga të plagosurit kishin pasoja serioze, ndërsa 4 të tjerë gjendeshin në gjendje kritike për jetën.

“Kjo është një zonë, në të cilën ekipet e shpëtimit e kanë të vështirë të hyjnë, sepse fillimisht duhet të punojnë për të kontrolluar flakët e zjarrit, të shkaktuara nga shpërthimi i kazanit”, tha Motta.

Mbi 30 ambulanca kanë shkuar në vendngjarje, për t’iu ofruar të plagosurve ndihmën e shpejtë e për t’i transportuar ata në spital.

Top Channel