Një baba i ardhshëm është duke u përpjekur me të gjithë forcën e tij që të mbetet në jetë edhe tre muaj më shumë, ndonëse ndodhet në fazat e avancuara të një kanceri, në mënyrë që të shohë vajzën të lindë.
Jared Noel, 32 vjeç u diagnostikua me një tumor në zorrën e trashë në vitin 2008.
Me profesion mjek, neozelandesi iu nënshtrua trajtimeve të ashpra për të mposhtur sëmundjen, por tashmë kanceri është përhapur në mëlçi dhe mushkëri e ai është i ndërgjegjshëm që mund të ndërrojë jetë brenda disa ditësh ose në rastin më të mirë, disa javësh.
Pavarësisht dhimbjeve të papërballueshme dhe 66 seancave të kimioterapisë të cilave i është nënshtruar që nga zbulimi i sëmundjes, Noel tregoi për “New Zeland Herald” se si është i vendosur që të vazhdojë të kapet me mish e me shpirt pas grahmave të fundit të jetës, me një objektiv të qartë, të shohë të lindë vajzën me të cilën gruaja e tij është shtatzanë.
“Gëzimi i shtatzanisë së gruas sime ka dominuar jetën time në këtë periudhë të vështirë. Gjetja e emrit të fëmijës, përgatitja e dhomës, gjithçka tjetër më ka dhuruar një kënaqësi të papërshkrueshme. Megjithatë, të hënën bëra një skanim, që tregoi se frika ime më e keqe është realizuar. Kanceri është përhapur gjithandej, metastazat janë në gjak, vatrat e tij aq të shumta sa që nuk numërohen. Mëlçia, stomaku dhe zorrët e mia janë prekur, kam një gjendër të re në mushkëri. Ky është një kancer shumë agresiv, i cili po bën më të mirën për t’i marrë vajzës sime babain e saj. Në fund, ai do të fitojë, por unë dua edhe një triumf të fundit, do të luftoj, do të bëj gjithçka që të mbetem gjallë aq sa për të përqafuar një herë vajzën time”, rrëfeu Noel historinë e tij prekëse në të përditshmen neozelandeze.
Top Channel