Izraeli njofton të tjera blloqe banesash

25/10/2013 04:55

Një zyrtar i lartë izraelit tha gjatë së enjtes se vendi i tij do të vazhdojë përpara me planet për të ndërtuar në vendbanimet ekzistuese hebreje në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor, një ditë pasi lideri i Izraelit zhvilloi bisedime me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry.

Mediat lokale thanë se tenderat e rinj të ndërtimeve do të shpallen javën e ardhshme, teksa kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, po synon të qetësojë bashkëqeverisësit e tij të vijës së ashpër, kundërshtarë të bisedimeve të paqes me palestinezët.

“Në përputhje me mirëkuptimin e arritur në prag të rifillimit të bisedimeve për paqe me palestinezët, në muajt në vijim Izraeli do të vazhdojë të njoftojë për ngritjen e blloqeve të reja të banimit edhe në Jeruzalem”, thuhej në një pjesë të deklaratës, nga një zyrtar i paidentifikuar. “Amerikanët dhe palestinezët janë në dijeni të këtij mirëkuptimi”, thuhej më tej.

Nabil Abu Rdeneh, një zëdhënës i presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, refuzoi komentet e zyrtarit izraelit.

“Ne nuk pranojmë asnjë ofertë për ndërtime. Izraeli duhet të ndalë këto lloj veprimesh, në mënyrë që t’i japë mundësinë negociatave të kenë sukses”, tha ai. “Për ne, të gjitha ndërtesat janë të paligjshme dhe Izraeli duhet të ndalet së vëni pengesa në rrugën drejt paqes, pasi të gjitha veprimet e tyre sa i përket kësaj çështjeje janë të jashtëligjshme dhe të shmangshme”.

Netanyahu zhvilloi bisedime me Kerry-n në Romë, ku bisedimet mes Izraelit dhe Palestinës ishin në axhendë. Bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-të u ringjallën në korrik, pas 3 vitesh zbrazëtie, por deri më tani kanë treguar shumë pak shenja progresi.

Palestinezët, të cilët kërkuan ndalimin e ndërtimit të banesave si kusht për bisedimet, janë kthyer jo me vullnet apo dëshirë të plotë në tryezën e negociatave, pas presionit të madh të amerikanëve.

Ndërkohë, partia “Shtëpia Hebreje” pro-kolonizimit, një nga partnerët kryesorë të koalicionit të Netanyahut, tha të enjten se do të propozonte një projektligj për të penguar lirimin e të burgosurve palestinezë, një kusht kryesor në mbajtjen e bisedimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA