Itali, shpëtohen 700 klandestinë në det

25/10/2013 15:20

Roja Bregdetare Italiane shpëtoi rreth 700 klandestine në pesë aksione të ndryshme të zhvilluara në orët e mëngjesit të së premtes pranë ishullit të Lampeduzës.

Lajmi për rikuperimin e 700 personave u komunikua në prag të mbajtjes së samitit të liderave të Bashkimit Europian në Bruksel, i cili do të ketë në krye të axhendës çështjen e klandestinëve dhe emigracionit të paligjshëm në Europë.

Mbytja e më shumë se 300 emigrantëve afrikanë në datën 3 Tetor, ndërsa tentonin që të mbërrinin në Itali tronditi drejtuesit e BE-së, duke ndërgjegjësuar vendet anëtare për nevojën e rishikimit të politikave të tyre mbi emigracionin.

Axhenda e samitit të BE-së, ndonëse është errësuar nga skandali i përgjimit të SHBA-së ndaj aleatëve europianë do të përfshijë diskutime të shumta mbi “përcaktimin e mënyrave të parandalimit të humbjes së jetës në det, në mënyrë që tragjedi të tilla të parandalohen në të ardhmen”.

Lampeduza është skaji më jugor i Italisë dhe për shkak të afërsisë me brigjet afrikane është shndërruar në “tokën e premtuar” të shumë emigrantëve që synojnë të mbërrijnë ilegalisht në vendet e Bashkimit Europian, pavarësisht rreziqeve të shumta dhe aksidenteve të shpeshta me pasojë vdekjen në det.

Mungesa e stabilitetit politik në disa prej vendeve të Afrikës Veriore dhe luftë civile në Siri ka bërë që fluksi i emigrantëve të rritet në mënyrë dramatike gjatë këtij viti.

Nëse në 2012-n në Itali zbarkuan 10 mijë klandestinë, vetëm gjatë dhjetë muajve të parë të 2013-s numri ka tejkaluar 33 mijë. Shumica e emigrantëve janë sirianë, somalezë apo eritrianë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA