Kandidati për kryetar të Prishtinës, nga Partia Demokratike e Kosovës, Agim Çeku, së bashku me kryetarin e partisë, Hashim Thaçi, kanë vazhduar aktivitetin parazgjedhor në kryeqytet, ku kanë biseduar me qytetarë, nëse do të dalin në zgjedhjet 3 nëntorit.

“Po shihet që dominon edhe optimizmi i qytetarëve në kryeqytetin e Kosovës, pra në Prishtinë. Njerëzit gjithnjë e më tepër po besojnë në vizionin e zotit Çeku, si kryetar i ardhshëm i Prishtinës, se ky mund ta ndërtojë Prishtinën e re, Prishtinën europiane. Prishtinës i duhen ndryshime të rëndësishme prandaj i jemi mirënjohës qytetarëve të Prishtinës për këtë mbështetje”, tha Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.

“Ne, edhe tani, edhe në të ardhmen do të punojmë bashkë për Prishtinën tonë, për Prishtinën europiane dhe për ndryshimin. Ekziston, mbështetja ka ekzistuar gjithnjë ndaj meje si ministër, si Agim, por tani po flasim për kryeqytetin, si kryetar i qytetit të Prishtinës”, tha Agim Çeku, kandidat i PDK-së për Prishtinën.

Takime me qytetarë të Prishtinës ka zhvilluar edhe kandidati i VV-së për Prishtinën, Shpend Ahmeti. Ai, bashkë me nënkryetarin Visar Ymeri, kanë kanë biseduar me qytetarë. Ahmeti ka premtuar zgjidhje të shpejtë për shitësit ambulantë të librave, që ndodhen në shesh.

“Ne e kemi thënë që, Komuna po ballafaqohet me shitësit ambulantë në shesh, për shkak se me juve po mundet, ndërsa nuk po ballafaqohet me shkelësit e mëdhenj të ligjit, që janë ndërtimet pa leje. Këtë e kemi potencuar, që kjo do të rregullohet me ligj, duke marrë parasysh që shitësit ambulantë janë pjesë e pandarë e këtij sheshi”, tha Shpend Ahmeti, kandidat i VV-së për Prishtinë.

Korab Sejdiu, kandidat i AKR-së për Prishtinën, ka takuar punëtorët e krahut afër sheshit “Bill Clinton”.

“Përveç kësaj, do të hapim edhe parqe industriale. Duke qenë këtu, dy nga pikat që janë të rëndësishme për njerëzit që janë dashamirës të punës, që duan të punojnë, janë fuqizimi dhe hapja e shkollave profesionale në komunën e Prishtinës, si dhe trajnimi i njerëzve, të cilët dëshirojnë të punojnë në ndërtimin e shkathtësive dhe mësimit të zanateve, që në fakt i bëjnë edhe këta punëtorë të zellshëm, më të favorshëm për të gjetur punë”, tha Korab Sejdiu, nga AKR.

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga AAK, Besnik Tahiri, ka takuar banorët e fshatit Hajvali dhe u ka premtuar investime në infrastrukturë.

“Jemi në fshatin Hajvali, i cili ka një potencial tepër të madh sipas vlerësimeve dhe analizave, që ne kemi bërë përgjatë këtyre 10 muajve. Një pjesë e zgjerimit të qytetit mendohet dhe duhet të ndodhë rreth pallatit të drejtësisë, aty ku ka filluar vetëm të ketë ndërtime të institucioneve të qeverisë së Kosovës. Atje ka hapësira tepër të mira, të cilat mund të shfrytëzohen për ndërtimin e stadiumeve, respektivisht insfrastrukturës rekreative për të rinj dhe për qytetarët e Prishtinës”, tha Besnik Tahiri.

Tahiri, si prioritet në planin e tij në Hajvali, ka investimin për sportin, që sipas tij do të shërbejë për punësim në Hajvali.

***

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, fushatën e ka vazhduar në qytetin e Pejës. Para elektoratit, ai ka thënë se Peja do të jetë e LDK-së dhe e qytetarëve të saj.

“Unë jam shumë i bindur që, nëse vota shfrytëzohet ashtu siç duhet, atëherë nga 3 nëntori, Peja do të jetë e LDK-së, Peja do të jetë e qytetarëve të saj. Fitorja vjen vetëm kur ajo bëhet dhe unë besoj se ju do ta bëni bashkarisht me kandidatët tanë, bashkarisht me qytetarët e Pejës, me Forumin e Gruas, Forumin e Rinisë, si dhe me të gjithë qytetarët e tjerë që kanë interes për një qeverisje më të mirë të Komunës së Pejës”, tha Mustafa, kryetar i LDK-së.

Më tej, Mustafa ka shprehur bindjen se LDK-ja do të fitojë në komunat e Dukagjinit. Sipas tij, objektiv i LDK-së është pjesëmarrja e të gjitha gjeneratave në vendimmarrje dhe në të gjitha proceset në shoqëri.

Top Channel