Të shtunën në mbrëmje, e gjithë Spanja, dhe jo vetëm, do të mbajë frymën për rreth 2 orë, për shkak të superndeshjes Barcelona-Real Madrid.
Një “El Clasico” që, përveç 90 mijë tifozëve në “Camp Nou”, do të tërheqë vëmendjen e 400 milionë tifozëve të tjerë, që do ta ndjekin drejtpërdrejtë këtë ndeshje nga televizori, radio apo interneti.
Një ndeshje, e cila do të jetë derbi i parë për dy trajnerët, Martino dhe Ancelotti, dhe për dy blerjet e reja, Neymar dhe Bale.
Reali vjen në këtë përballje pas fitores me shumë vuajtje në “Bernabeu” ndaj Juventusit. Skuadra e Ancelottit ndodhet vetëm 3 pikë larg katalanasve në kampionat, por loja e tyre nuk është se po i kënaq tifozët madrilenë.
Tekniku italian po kërkon të ndryshojë mentalitetin e skuadrës, pas 3 viteve nën drejtimin e Mourinho-s dhe, sigurisht që, i duhet dhe pak kohë.
Nga ana tjetër, Barcelona vjen në “El Clasico” pas barazimit me Milanin në Champions. Edhe trajneri argjentinas i kalatanasve ka patur një rrugëtim të vështirë me skuadrën, pasi i është dashur të bëjë disa ndryshime në të.
Duke filluar nga viti 2009 e deri tani, përballja mes këtyre dy gjigantëve spanjollë do të shihej ndryshe, edhe si sfida Messi-Cristiano Ronaldo.
Këtë vit, si asnjëherë më parë, do të dalin në fushë disa lojtarë të tjerë, që ndoshta do të duan t’ua rrëmbejnë famën dy futbollistëve më të mirë në botë.
“El Clasico” e parë për këtë sezon do të transmetohet në Supersport, të shtunën, në orën 18:00.
Top Channel