Të jesh ndryshe është normale!

24/10/2013 00:00

Të jesh ndryshe është normale! Këtë i thanë vetes Emanuela dhe Kledjani, kur mësuan se djali i tyre Arbi kishte lindur me sindromën Daun. Ardhja e tij në jetë 26 muaj më parë i ka ndryshuar jetën prindërve të tij. Dashuria që i japin dhe kënaqësia që marrin nga rritja e tij nuk mund të përshkruhet me fjalë.

Arbushi, siç me përkëdheli i drejtohen të gjithë, gëzon shëndet të mirë, por ka zhvillim mendor dhe fizik pak më të ngadaltë se bashkëmoshatarët. Për këtë, prindërit e shoqërojnë disa orë në javë të bëjë terapi fizike, logopedi dhe terapi zhvillimi. Kështu, Arbi do ta ketë të lehtë t’i kapërcejë me sukses dhe me më pak vështirësi sfidat me të cilat kjo sindromë të përball.

Në dhomën e tij rrethohet me shumë lodra që ndikojnë në përshpejtimin e zhvillimit. Shpeshherë specifikat e lojës janë të vështira për të, ai nuk dorëzohet asnjëherë deri sa ta përfundojë me sukses.

Pavarësisht gjithfarë shikimesh keqardhëse e paragjykimesh nga njerëzit, prindërit e Arbit po i krijojnë të gjitha mundësitë dhe kushtet që kur të rritet të jetë i barabartë me moshatarët e tjerë që nuk e kanë këtë sindromë.

Erjona, çrregullime të zhvillimit mendor dhe fizik

Kjo qendër sociale është investimi i gjithë jetës së prindërve të Erjonës, për të dhe fëmijët e tjerë me aftësi të kufizuara, të cilët nuk merrnin trajtimin e duhur bashkëkohor për t’u integruar në shoqëri.

Prej vitit 1999, kur u hap qendra për herë të parë, që ishte një ambient modest e deri më sot, Eriona nuk ka munguar asnjë ditë. E shtuna dhe e diela janë ditët më të trishta të saj, pasi nuk mund të takohet me miqtë.

Ndër të gjitha aktivitetet që kryejnë për të rritur autonominë e tyre, ajo ka të preferuarat e saj. I pëlqen të bëjë ushtrime fizike, të gatuajë, veçanërisht kek. Është e dhënë pas pikturës dhe veçanërisht kërcimit. Kanë krijuar një traditë në gjithë këto vite që ditëlindjen e secilit ta festojnë së bashku.

U bënë 14 vjet që qendra sociale është shtëpia e saj! Cdo ditë prindërit në këtë ambient e shohin Erionën më të pavarur e më të përmirësuar dhe kjo gjë u jep forcën për të ecur përpara.

Top Channel