Ministria e Jashtme e Rumanisë paralajmëroi Serbinë për “pasoja të rënda”, nëse nuk do të garantojë respektimin e plotë të të drejtave të minoritetit rumun që jeton në vend.
Paralajmërimi i Bukureshtit erdhi pasi një meshë e vllenjve ortodoksë u dhunua nga huliganë serbë, të cilët sulmuan dhe frikësuan anëtarët e këtij minoriteti në zonën e Timokut pas daljes nga kisha.
Një vit më parë, Rumania kushtëzoi mosdhënien e vetos për statusin e vendit kandidat të Serbisë me respektimin e minoritetit dhe në kuadër të kësaj marrëveshje u lejua që rumunët të mund të flisnin gjuhën e tyre në shërbesat fetare.
Një delegacion zyrtar rumun mbërriti në vendngjarje pak orë pas regjistrimit të incidentit.
“Trajtimi në përputhje me të gjitha të drejtat e garantuara nga ligji ndërkombëtar për minoritetin rumun në Serbi është një parakusht për ekzistencën e marrëdhënieve të mira midis dy vendeve”, shkruhej në deklaratën e Bukureshtit zyrtar.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, gjithashtu informoi se institucioni i tij po përgatit një projekt-propozim në Kuvend për ndryshimin e kushtetutës, në mënyrë që të përfshihen më shumë të drejta për minoritetet.
Top Channel