Spektakël i Comos/ Një fitore me pesë gola ndaj Pizës dhe vendi i katërt, Liga e Kampionëve nuk është më një utopi
Eric Thohir është pronari i ri i Interit. Që prej blerjes së skuadrës italiane, miliarderi indonezian është vënë në qendër të mediave sportive përtej Adriatikut që kërkojnë ta njohin atë më mirë.
Që prej nisjes së bisedimeve për blerjen e aksioneve nga Moratti, Thohir pati deklaruar simpatinë e tij për zikaltërit, por në rrëfimin e fundit, habiti të gjithë me përzgjedhjen e lojtarit të preferuar në historinë e Interit.
Shumëkujt do t’i shkonte në mendje kapiteni Zaneti, Materazzi, Bergomi apo të tjerë emra të mëdhenj që kanë lënë gjurmë në këtë klub, por për Thohir s’është aspak kështu. Padroni i ri i Interit ka të preferuar të tij një futbollist, gjurmët e të cilit tek Interi janë thuajse zero: Nicola Ventola.
Kështu ka rrëfyer vetë miliarderi në një deklaratë dhënë nga Xhakarta për Sportmediaset. Zgjedhja ndoshta justifikohet me kombësinë indoneziane të nënës së ish të dashurës së Ventola-s, Kartika Luyet.
Lidhur me planet për të ardhmen, Thohir thotë se dëshiron që në skuadër të ketë më shumë futbollistë italianë, ndërsa siguroi tifozët zikaltër se do të jetë në Itali 4 herë në vit për të ndjekur skuadrën…për të tjerat do të mendojë Moratti.
Në fund edhe një surprizë e pakëndëshme për tifozët “më puritanë” të Interit, presidenti i ri i tyre deklaroi se njëri prej djemve të tij është tifoz i Juventusit.
Top Channel