Deklarata e kryeministrit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan se “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë” vlerësohet si e papërgjegjshme, e pakuptimte në rrafshin diplomatik dhe një lajm jo i mirë për Kosovën nga historianë e analistë kosovarë.

“Verejme deklarata jo shume te pergjegjshme dhe jo shume me sens diplomatik, sic ishte Kosova eshte Turqi dhe Turqia eshte Kosove, ne fakt as Kosova nuk eshte Turqi dhe as Turqia nuk eshte Kosove. Kosova dhe Turqia jane vende mike, kane nje lidhje historike, qe ndoshta nuk eshte momenti qe te flasim aq shume per lidhjet historike mes Kosoves dhe Turqise, por une besoj qe Turqia dhe Kosova dhe shqiptaret ne pergjithesi do te duhej te kene raporte te mira dhe te sillen si partnere strategjike dhe te mos sillen as kryeministrat e Kosoves dhe Turqise ne menyre artificiale sa per konsum qofshin praktikisht ne fushaten tone elektorale”, thotë Frasher Demaj, historian.

Deklarata Kosova është Turqi dhe anasjelltas përbën lajm të keq sipas analistit  Halil Matoshi sepse Kosova duhet të pretendojë të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe mesazhe të tilla duhet t’i vinin nga brukseli zyrtar dhe jo Turqia.

“Lajm i mire per Kosoven nuk eshte ky, te qenurit pjese e Turqise, mirepo lajm i mire do te ishte sikur te vinte dikush nga Brukseli zyrtar dhe te thoshte se Kosova eshte BE dhe BE-ja Kosove, ajo do te ishte lajm i mire qe fatkeqesisht nuk po ndodhe, eshte shume normale qe Kosova te jete vend i hapur dhe t’i ketë marredheniet e mira fqinjesore me fqinjet me rajonin ne rend te pare, por edhe me Turqine pse jo, mirepo Kosova e ka vendin ne BE dhe jo ne Turqi”, deklaron analisti Halil Matoshi.
 
Historiani Frashër Demaj sikurse analisti Halil Matoshi vlerësuan me nota negative edhe sjelljen e qeverisë së Kosovës. Sipas tyre qëllimi i vizitës së djeshme i kryeministrit turk ndërlidhet me fushatën elektorale ndërsa bilanci i vetëm është mobilizimi i mundshëm i turqve të kosovës që ta përkrahin partinë e kryeministrit Thaci në votimet e 3 nëntorit.

Fjalimi i Erdoganit, reagon Ipeshkvia e Kosovës

Fjalimi i kryeministrit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, nxiti reagimin e Ipeshkvisë së Kosovës. Nëpërmjet një deklarate, ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji akuzon kryeministrin turk për ambicie neotomane dhe politikan i cili dëshiron të jetë padron i të gjithë shqiptarëve.

“Prej disa kohësh autoritetet turke provokojnë me ide neotomane, të cilat më ngacmojnë mendësinë dhe më prekin sedrën e të qenurit shqiptar. Fjalimi i djeshëm i z. Erdogan në Prizren me përmbajtje fyese, me zë padroni dhe me një përformancë dalldisjeje politike, ishte ogurzi, në kundërshtim me të vërtetën historike, me realitetin e sotëm dhe pa një propozim pozitiv për të ardhmen”, thuhet në deklaratën e ipeshkvit Dodë Gjergji.

“Dje dolën në pah ligështia nostalgjike e disa shqiptarëve, ambiciet neotomane të miqve si dhe “vëllezërve të disave” dhe dëshira e kryeministrit turk që të jetë padroni i shqiptarëve”, thuhet në deklaratë.

Duke aluduar në fjalimin e Sllobodan Millosheviçit në Fushë-Kosovë, ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, shkruan: “Ndërsa dëgjoja këtë fjalim, mu kujtua fjalimi i ngjashëm ogurzi në Fushë-Kosovë, para më shumë se dy dekadave, ku me një dalldisje politike, nxitej masa me shpresa të rrejshme. Por, ne e dimë dhe jemi dëshmitarë se sa të këqija dhe sa mjerime ka bartë në vete koha dhe përvoja jonë njerëzore që atëherë e deri te liria jonë”.

Ipeshkvia e Kosovës fton kryeminsitrin turk që ta bëjë Turqinë si Kosova, një vend europian. Por, sipas ipeshkvit Dodë Gjergji, e kundërta nuk do të bëhet pasi sakrifica shumë shekullore e shqiptarëve e ka nxjerrë Kosovën nga Turqia pavarësisht përpjekjeve të paraardhësve të Erdoganit për ta mbajtur.

Top Channel