Ministri i Jashtëm i Meksikës njoftoi se do të thërriste ambasadorin amerikan, pas raportimeve të fundit për spiunazh.
“Ndarja e sigurisë dhe përgjegjësive mes dy fqinjëve të respektueshëm nuk mund të ndërtohet mbi shkeljen e ligjeve dhe të besimit”, deklaroi Jose Antonio Meade, gjatë ditës së martë.
“Meksika është e bindur se praktika e funksionimit të spiunazhit përbën një shkelje të normave, një abuzim ndaj besimit të krijuar mes vendeve partnere dhe nuk nderon aspak miqësinë historike mes kombeve tona”, shtoi ai.
Duke folur në Gjenevë, Meade tha se ai do të thërrasë ambasadorin amerikan, Anthony Wayne, sapo të kthehej në Meksikë.
Komentet e tij vijnë vetëm pak ditë, pasi revista gjermane “Der Spiegel” publikoi disa akuza se Agjencia e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve (NSA) ka përgjuar sistematikisht qeverinë meksikane dhe ka sulmuar llogarinë publike të e-mail-it të ish-presidentit meksikan, Felipe Calderon.
“Der Spiegel” kishte përmendur ish-kontraktorin e NSA-së, Edward Snowden, si burimin e informacioneve të saj. Të dielën, qeveria meksikane tha se një përgjim i tillë do të ishte i papranueshëm, jo legjitim dhe në shkelje të hapur të ligjit.
Meade kërkoi një hetim të shpejtë, duke theksuar se presidenti amerikan Barack Obama ishte angazhuar të hetonte akuzat e mëhershme për spiunazh, që u shfaqën gjatë muajit shtator.
“Meksika, në fund, rithekson besimin e saj në bindjen e presidentit Obama se ligjet ndërkombëtare nuk përbëjnë vetëm një premtim bosh”, tha Meade. “Jemi të sigurt se premtimi për një hetim në lidhje me ngjarjet që prekin Meksikën nuk është bosh gjithashtu”.
Meksika do të ndërmarrë hetimin e saj të pavarur, tha ministri i Brendshëm, Miguel Angel Osorio Chong, për reporterët.
Akuzat e reja bënë që Calderon të shpërthente përmes disa postimeve në Twitter, gjatë së hënës.
“Më shumë se sa personale, ky është është ndaj institucioneve të vendit, duke parë se është bërë kur unë isha president”, tha Calderon. “Do të vazhdoj të ndjek hapat që do të ndërmarrë Ministria e Jashtme për të kërkuar shpjegime nga Shtetet e Bashkuara dhe për të kërkuar llogari mbi përgjegjësinë e këtij veprimi”.
Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit tha për CNN se qeveria meksikane kërkoi llogari për raportin dhe se dy qeveritë do të diskutojnë mbi këtë çështje në rrugë diplomatike.
NSA, nga ana e saj, ka njoftuar se “nuk do të komentojë publikisht mbi çdo aktivitet spiunazhi për të cilat akuzohet, si dhe shtoi se, duke qenë një çështje politike, ne e kemi bërë të qartë se SHBA-të mbledhin informacione nga përgjimet e jashtme, ashtu siç bëjnë të gjitha vendet”.
Meksika është vendi i dytë, gjatë ditëve të fundit, që reagon ndaj SHBA-ve për këtë çështje, pas reagimit po kaq “jo miqësor” të Francës, pas akuzave të publikuara në “Le Monde”.
Top Channel