Në hapësirën prej 44 mijë metrash katrorë ka zënë vend terminali i ri i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Konsorciumi turko-francez “Limak Aeroport De Lyon” investoi shumën prej 140 milionë eurosh, me të cilën aeroporti i Prishtinës bëhet modern e i ngjajshëm për nga infrastruktura me aeroportet e vendeve të zhvilluara.

Në terminalin e ri udhëtarët kanë mundësi të gëzojnë gjithçka që në të vjetrin nuk e kishin, duke filluar nga numri i madh i sporteleve, hapësirave për pritje, dyqanet dhe lokalet e reja e deri te dhomat e lutjeve për besimtarët myslimanë e të krishterë veç e veç.

E po kështu edhe pajisjet elektronike të cilat shërbejnë për orientimin e udhëtarëve. Është parashikuar që terminali i ri të ketë një kapacitet vjetor për pesë milionë udhëtarë. Posterat e mëdhenj të heroit të kombit Adem Jashari, emrin e të cilit e mban Aeroporti i Prishtinës, ishin vendosur në hapësirat e terminalit të ri me rastin e ceremonisë së përurimit. Flamuri turk dhe motoja “Gati për botë” po kështu.

I ftuari i parë, i cili u ul me helikopter në pistën e vjetër të terminalit të ri ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Pas tij edhe kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Ata u pritën nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe që të tre së bashku hapën solemnisht terminalin e ri të aeroportit. Dy kryeministrat Thaci e Rama nuk i kursyen lëvdatat apo thirrjet “mik” e “vëlla” ndaj homologut turk.

“Nuk ka një ditë më të bukur se e sotmja, plotë krenari e diell për Kosovën, për të pritur një mik të çmuar të të gjithë shqiptarëve, siç është kryeministri Erdogan. Ai është miku dhe vëllai ynë i pandarë, në të mirë dhe në vështirësi”, deklaroi Rama.

Për ato që cilësohen lidhje mes shqiptarëve dhe turqve foli edhe vetë kryeminsitri i Turqisë. “Turqia është ndër shtetet a para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu, ajo ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë kontribut për zhvillimin e gjithanshëm të saj, pasi për ne Kosova është një vend me të cilin kemi histori dhe kulturë të përbashkët”, u shpreh nga ana e tij Erdogan.

Ndërsa kryeministri Thaçi ndau me të pranishmit edhe kujtime të udhëtimit të tij të parë. Ai falenderoi Turqinë për mbështetjen që i jep Kosovës dhe shqiptarëve. “Prandaj, të nderuar kryeministra, vëllezër Edi dhe Rexhep, kujtoj sot se si Prishtina hapi dyert e këtij aeroporti për mua. Për herë të parë prej tij bëra udhëtimin me një avion ushtarak francez, nën mbrojtjen e NATO-s dhe i shoqëruar nga delegacioni kosovar, për në konferencën e Rambujesë”, kujtoi Thaçi.

E pranishme në ceremoni padyshim ishte familja e komandantit të UÇK-së, heroit të kombit Adem Jashari, emrin e të cilit mban Aeroporti, si dhe politikanë të tjerë të Kosovës dhe ndërkombëtarë.

Vetëm nga Turqia merret vesh se erdhën mbi 600 mysafirë. Aeroporti i Prishtinës është ngritur në vitet ‘70 për t’u shfrytëzuar fillimisht si aeroport ushatark, ndërsa është hapur për fluturime drejt Beogradit në vitet ‘90.

Top Channel