Parlamenti i Maqedonisë ka ratifikuar marrëveshjen për hapjen e pikës së re kufitare Bellanoc – Stançiç, mes Maqedonisë dhe Kosovës.

Edhe pse ratifikimi i kësaj marrëveshje ka marrë pëlqimin e të gjitha partive shqiptare, debati në Kuvend mes të zgjedhurve të popullit ka qenë i ashpër.

Deputetët e partisë shqiptare në pushtet BDI e quajtën një hap të rëndësishëm ratifikimin e kësaj marrëveshje, ndërsa opozita shqiptare tha se, për shkak të pozicionit të dobët të BDI-së në pushtet, hapja e këtij vendkalim kufitar do të zvarritet edhe shumë vite.

“Hapja e këtij vendkalimi kufitar bëhet përmes arritjes së dy shteteve sovrane, Republikës së Maqedonisë dhe asaj të Kosovës, dhe një marrëveshje e tillë, që është në vazhdën e marrëveshjeve mes këtyre dy shteteve, edhe një herë flet për frymën e re dhe frymën e mirë të bashkëpunimit dhe ndërtimit të fqinjësisë së mirë mes dy shteteve sovrane”, tha Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.

“Për 12 vite jeni në skenën politike, jeni në pushtet, dhe një akt burokratik, një ratifikim, një nënshkrim të marrëveshjes mundoheni ta paraqisni si triumf, mundoheni të thoni se është hapur kufiri. Për t’u hapur kufiri Bellanoc-Stançiç nevojiten edhe shumë hapa të tjerë të mëdhenj, që ju nuk mund t’i bëni as për 1000 vjet”, tha Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

“Para se të vinte Bashkimi Demokratik për Integrim si strukturë politike, ju ishit në pushtet. Përse nuk e hapët kalimin kufitar Stançiç-Bellanoc?”, reagoi Ermira Mehmeti.

“Po të kemi parasysh lidhjet shpirtërore dhe farefisnore të atyre fateve atje, po ta vemë veten në lëkurën e atyre njerëzve atje, atëherë, përveç se t’i gëzohemi kësaj dite për këtë arritje, nga ana tjetër ne si evropianë që jemi duhet të turpërohemi, që kjo ndodh kaq vonë”, deklaroi Bekim Qoku, deputet i PDSH-së.

Hapja e kësaj pike kufitare ka qenë një kërkesë e hershme e banorëve shqiptarë të vendbanimeve të afërta në të dy anët e kufirit. Pala kosovare, deri tani, ka realizuar aspektin infrastrukturor deri në afërsi të kufirit, ndërsa punimet për asfaltimin e rrugës, në pjesën që i takon Maqedonisë, do të fillojnë të enjten.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA