Një ndër dëshmitarët e Prokurorisë së Eulex-it për çështjen e “Grupit të Drenicës” mohon deklaratat kundër të akuzuarve.
Në një intervistë për emisionin “Pa Rrotlla”, të gazetarit Milaim Zeka në RTK, Ferat Dibrani thotë se deklaratat (se gjoja ish-luftëtarët Sami Lushtaku, Sylejman Selimi e të tjerë kanë kryer krime lufte në fshatin Likovcit) i janë veshur atij nga prokurori i çështjes, Mauricio Salustro.
“Unë nuk kam pasur asgjë të keqe me Sami Lushtakun dhe ‘Grupin Drenica’, siç po e quajnë. Ata kanë insistuar dhe kam pasur presion nga ta, që ta pranoj në seancë se unë jam ai që kam qenë në burgun e Likovcit, dhe unë jam ai që jam keqtrajtuar nga Sami Lushtaku. Madje edhe që kam qenë burg me 30-40 veta. Ata më kanë thënë që ta nënshkruaj deklaratën se jam plagosur me urdhër të Samiut, që Samiu s’ka ditur asgjë arrestimin tim në Mitrovicë”, tha Ferat Dibrani, dëshmitar i Prokurorisë.
Dëshmitari, që me vetë dëshirën e tij del me identitetin e tij në publik, rrëfen edhe për një bisedë që duket se e ka zhvilluar me prokurorin e çështjes, Mauricio Salustro. Sipas këtij dëshmitari, Salustro i ka thënë atij se, nëse dështon me deklaratën e tij, atëherë prokurorit i duhet të largohet nga Kosova.
“Dje, në orën 3, Salustro më është drejtuar me këto fjalë: ‘Nëse dështoj me ty, unë nuk kam ç’të bëj si prokuror në Kosovë, do të më kthejnë në vendin tim”, u shpreh Ferat Dibrani.
Historia e dëshmive të tij, – thotë dëshmitari, – ka nisur në vitin 2001, kur ai ishte ftuar nga Gani Geci për të folur para disa ndërkombëtarëve, në lidhje me një rast kur ky dëshmitar ishte marrë në Shtabin Rajonal të UÇK-së gjatë luftës.
Dëshmitari këmbëngul se deklaratat e tij janë shtrembëruar që prej atëherë, kur në atë dhome nuk kishte pasur asnjë përkthyes, por ishte vetëm Gani Geci, i cili kishte përkthyer për ndërkombëtarët. E ndërsa për Sami Lushtakun thotë se nuk di asgjë të keqe, ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimin, thotë se nuk e kishte takuar fare.
Shtatë ish-ushtarakë; ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi; ish-komandanti i zonës operative të Drenicës, Sami Lushtaku; ish-komandanti i Brigadës 111, Jahir Demaku; Zeqir Demaku, Sahit Jashari, Avni Zabeli dhe Hysni Thaçi, të cilët njihen si “Grupi i Drenicës”, po akuzohen për krime lufte nga Prokuroria. Ata, aktualisht, janë në vuajtje të masës së paraburgimit.
Top Channel