Një 15-vjeçare në Jemen u dogj e gjallë nga babai i saj fanatik, pasi komunikoi me të fejuarin përpara martesës.
Informacioni u raportua zyrtarisht nga policia e vendit më të varfër të Lindjes së Mesme.
Babai 35-vjeçar u arrestua pas vrasjes të së bijës, në fshatin e largët të Shaabës, në krahinën e Taizit.
Familja e vajzës dhe ajo e djalit kishin rënë dakord që të kryenin bashkimin në martesë të fëmijëve të tyre, por çifti i ardhshëm nuk kishte pritur datën dhe kishte komunikuar në telefon paraprakisht.
Pasi mësoi këtë lajm, babai tërhoqi zvarrë të bijën jashtë shtëpisë dhe pasi e spërkati me një lëndë djegëse, realizoi krimin e përbindshëm përpara syve të fshatit.
Në kulturën tribale jemenase, kontakti midis djalit dhe vajzës është rreptësisht i ndaluar përpara martesës, e cila rregullohet vetëm nëpërmjet familjeve.
Një vit më parë, Këshilli i të Drejtave të Njeriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ngriti zyrtarisht shqetësimin e tij për të ashtuquajturat “vrasje të nderit” në Jemen.
Edhe më absurde, në rastet e vrasjeve për motive të tilla, drejtësia jemenase dënon autorët me 6-12 muaj heqje lirie, për “kundravajtje penale”.
Jemeni u vendos në qendër të revoltës së organizatave të mbrojtjes së të drejtave të njeriut edhe një muaj më parë, pasi në media u raportua se një vajzë 8-vjeçare kishte ndërruar jetë për shkak të hemoragjisë së brendshme, pas plagëve që i kishte shkaktuar raporti seksual me bashkëshortin e saj 40-vjeçar.
Top Channel