Ikonat: Ligji parashikon që mund t’i kalojnë shtetit

23/10/2013 00:00

Një nga diskutimet më të nxehta të javëve të fundit ka qenë padyshim
arrestimi i dy personave që dyshohet se kanë kryer trafikim të veprave
të artit, të cilëve u janë sekuestruar më shumë se 100 vepra.

Ka pasur mendime se operacioni ka qenë i nxituar dhe se të pandehurit kanë pasur të gjithë dokumentacionin, apo tagrin ligjor për t’i mbajtur këto vepra. Disa prej provave, që tashmë janë në duart e drejtësisë, kanë qenë të regjistruara dhe të tjera kanë qenë në proces. Madje, Gjergji Thimo ka pasur edhe licencë nga gjykata si koleksionist, ndërsa më parë ka kërkuar ekspozimin e këtyre veprave në mjedise publike.

Dijeni për “thesarin” e tij kanë pasur dijeni edhe ministria dhe deputetë, pasi ai i ka lajmëruar edhe me shkresa zyrtare. Në këtë “debat”, njerëzit që ngrenë akuza në emër të shtetit kanë interpretuar ligjet e bëra pikërisht nga mazhorancat, apo nga ligjvënësit, ndërsa pohojnë se kanë të gjitha provat se këta persona kanë kryer trafik. Sipas grupit hetimor ka vetëm një interpretim, ai i Kodit Penal, që parashikon qartë se edhe tregtia e veprave të artit quhet trafik, dhe këta persona, rrezikojnë minimalisht nga tre vite burg. Ndërkohë, pas faktimit të veprës penale, kanë dalë në “dritë” të tjera ligje, që parashikojnë se këto vepra arti, nëse rezulton se kanë qenë objekt trafikimi, i kalojnë pikërisht shtetit.

Në kulmin e debateve publike për ligjshmërinë apo paligjshmërinë e këtij aksioni, prokuroria pohon se, po vepron sipas ligjeve, që parashikojnë se këto vepra mund t’u vihen në dispozicion institucioneve shtetërore në bazë të Kodit të Procedurës Penale. Po çfarë parashikon ky Kod? Neni 219 titullohet “disponimet në rast moskthimi”. Po çfarë përmban në thelb? “Pas një viti nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë, në qoftë se kërkesa e kthimit nuk është paraqitur ose nuk është pranuar, gjykata që ka dhënë vendimin urdhëron që paratë dhe letrat me vlerë të depozitohen në bankë, në një llogari të veçantë. Për sendet urdhërohet shitja e tyre, por kur ato kanë interes shkencor ose vepra arti, u kalohen institucioneve përkatëse”, thuhet në këtë nen. Në paragrafin e fundit, parashikohet se veprat e artit, u kalohen pikërisht institucioneve përkatëse dhe duket se pikërisht këtë do të bëjë edhe shteti.

Ky operacion u bë publik nga krerët e shtetit, që dolën përkrah njëri-tjetrit duke e cilësuar si një nga arritjet më të mëdha të policisë. Për një moment, u mendua se gjithçka ishte një “blof”, por ligji e parashikon qartë se edhe tregtimi i këtyre veprave është trafik. Në nenin 138/a të Kodit Penal parashikohet se “importimi, eksportimi, transitimi dhe tregtimi në kundërshtim me ligjin i veprave të artit dhe të kulturës, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet”. Në rastin konkret, Gjergji Thimo dhe Arben Spaho, nuk kanë kryer importim, as eksportim e transitim, por kanë bërë tregti. Dhe, për ligjvënësit shqiptarë që kanë miratuar këtë nen, por edhe për ngritësit e akuzave në emër të shtetit, kjo është shkelje e hapur e ligjit, ndërsa dy të arrestuarit, minimalisht, nëse shpallen fajtorë, duhet të dënohen me tre vite burg. Por, Kodi Penal parashikon se “po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose sjell pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet”. Edhe në këtë rast, akuza thotë se ka faktuar tregtimin në bashkëpunim të këtyre veprave penale, që në gjuhën e ligjvënësve thuhet “trafik i veprave të artit”. Madje, “tregtimin” e kanë pranuar edhe dy të arrestuarit, duke pohuar se Gjergji Thimo i kishte rreth 20 milionë lekë (të vjetra) Arben Spahos. Si këmbim, pa dokumente, ai i kishte dhënë disa nga këto ikona, që janë regjistruar si vepër arti. Në këtë rast, akuza thotë se ka vepruar në zbatim të ligjit për dy të pandehurit, ndërsa verifikimet e mëvonshme mund të zbardhin edhe vjedhjen e këtyre ikonave.

Akuza pohon se Gjergji Thimo ka deklaruar se është koleksionist privat, madje ka shpjeguar se ushtron këtë aktivitet në bazë të një vendimi gjykate. Ai ka shpjeguar se nuk ka asnjë ikonë të vjedhur dhe se disa prej tyre janë në proces verifikimi nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit. Në lidhje me “bashkëpunëtorin”, Arben Spaho, ai është shprehur se e ka pasur klient të lokalit të tij. Akuza ka marrë në pyetje pikërisht Spahon, i cili sqaron se Thimo i ka atij një borxh. Për të larë borxhin, Gjergji i ka dhënë atij disa ikona, të cilat i janë gjetur në banesë, ndërsa shpjegon se ka punuar me Gjergjin kryesisht në restaurimin e ikonave, pasi këtë zanat e ka mësuar në Greqi. Akuza thotë se ka dyshime se disa prej ikonave kanë qenë të vjedhura, megjithëse nuk është pranuar. Këta persona kanë kryer edhe lëvizjen dhe ndryshimin e destinacionit të disa prej ikonave. Sërish kanë shkelur ligjin, pasi të gjitha shitjet apo tjetërsimet duhet të bëhen me urdhër të ministrit të Kulturës. Konkretisht, ligji ‘për trashëgiminë kulturore’, në nenin 19 të tij parashikon se: Lëvizja nga vendet e caktuara të objekteve të trashëgimisë kulturore të luajtshme, me vlera të zakonshme, për ruajtjen, restaurimin, studimin dhe ekspozimin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, bëhet me lejen e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Top Channel