Parlamenti grek ka votuar me shumicë dërrmuese për pezullimin e financimeve shtetërore ndaj partisë së ekstremit të djathtë, “Agimi i Artë”.

Ligji i ri lejon ngrirjen e pacaktuar të financimeve për partitë, lidershipi i të cilave akuzohet për përfshirje në grupe kriminale apo terrorizëm.

Lideri i “Agimit të Artë” dhe dy deputetë ndodhen në paraburgim, në pritje të gjyqit mbi akuzat e të qënit pjesë e një organizate kriminale.

Arrestimet e tyre erdhën pas vdekjes së një muzikanti anti-fashist, ngjarje për të cilën akuzohet një mbështetës i kësaj partie. “Agimi i Artë” mohon me forcë lidhjet me personin e akuzuar për vrasjen.

Gjithsesi, goditja fatale me thikë gjatë muajit të kaluar ka nxitur rritjen e thirrjeve për ndalimin e plotë të funksionimit të partisë ekstremiste.

Ligji i ri u kalua me 235 vota pro dhe asnjë kundër, në asamblenë 300 vendëshe të Greqisë, gjatë mbrëmjes së vonshme duke u gdhirë e marta.

Lëvizja duket se do t’i heqë “Agimit të Artë” një burim madhor financiar, raporton uebsajti i gazetës greke “Ekathimerini”.

Athina ka caktuar 11 milionë euro për partitë e zgjedhura në 2013-n, përfshi 873 mijë euro për “Agimin e Artë”, thuhej në faqen online të medias.

Partia kontroverse ka një axhendë tepër të ashpër kundër masave shtrënguese dhe kundër emigracionit, si dhe është akuzuar për kryerjen e sulmeve ndaj emigrantëve dhe kundërshtarëve politikë.

Vet partia e mohon se është një lëvizje neonaziste, pavarësisht shenjës së qartë të kryqit të thyer në flamur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA