Flamuri i Partisë Demokratike të Kosovës është simboli i vetëm zgjedhor, i cili ka gjetur vend në qoshen e një dyqani në veriun e Mitrovicës.

Më shumë se çdo poster tjetër elektoral, në veri sheh pankarta, të cilat nxisin bojkotin e zgjedhjeve të 3 nëntorit. “Bojktoi i zgjedhjeve të shqiptarëve është shpëtimi për të gjithë”, shkruhet në njërën prej tyre, e cila, e shkruar me shkronja cirilike, natyrisht që u drejtohet vetëm serbëve.

Por, gara zgjedhore vazhdon, pavarësisht faktit se tri shpërthime në adresë të kandidatëve për asamble kanë ndodhur vetëm në dy javët e fundit.

Shefja e zyrës administrative në veri, Adriana Hoxhiç, është në mesin e katër kandidatëve për kryetarë të Mitrovicës së veriut.

“Kur, nëse jo tani?”, është slogani, me të cilin Hoxhiç ka zgjedhur t’u drejtohet qytetarëve. Me më shumë porosi është simboli i vendosur në spotin e saj publicitar. Duke përdorur ngjyrat e ish-Jugosllavisë, me të cilat është ngjyrosur ura e lumit Ibër, veriu dhe jugu i Mitrovicës, Hoxhiç dëshiron të përcjellë mesazhin e bashkëjetesës mes komuniteteve në Mitrovicë.

Sa i përket fushatës zgjedhore, Hoxhiç thotë se po bën një fushatë të profilit të ulët, duke zhvilluar takime të mbyllura me qytetarë. Ajo ftoi autoritetet, që të ndërmarrin masa, pasi aktualisht po bëhet një fushatë e fuqishme bojkoti.

Në garë për Mitrovicën e veriut garon edhe Kërstimir Pantiç, politikani serb që asnjëherë nuk e njohu autoritetin e Prishtinës zyrtare, por që në këto zgjedhje gëzon mbështetjen e fuqishme të Beogradit zyrtar.

Dy kandidatë serbë, si dhe Agim Deva nga Partia Demokratike e Kosovës, po kështu janë në garë për komunën e Mitrovicës Veriore.

Top Channel