Ferguson: Victoria shkatërroi Beckham

23/10/2013 00:00

“Victoria shkatërroi karrierën futbollistike të David Beckham”. Kështu shkruan Alex Ferguson në librin e tij autobiografik që del në shitje në Britani ditën e enjte.

Ferguson, që në fund të këtij sezoni u tërhoq nga Manchester United pas më shumë se dy dekadash në drejtimin e tij, rrëfen se si njohja me ish-vajzën e “Spice Girls”, ndryshoi David Beckham.

“Problemi më i madh me mua është se unë jam një njeri i futbollit. Ai ra në dashuri me Victoria-n. E dija që më duhej të përballesha me probleme në horizont që në momentin kur mësova se David kishte ndërmend të shfaqte një model flokësh të cuditshëm para ndeshjes me Leicesterin”, shkruan Ferguson.

Ikona e United thotë se fill pas kësaj, Beckham nisi t’i kushtonte më shumë rëndësi pamjes se sa stërvitjes apo paraqitjes në fushën e lojës. Ai e fajësoi David për humbjen ndaj Arsenalit në Kupën FA që pasoi më vonë “incidentin e famshëm të këpucës”.

“Në momentin që po i flisja Beckham më ndërpreu. Unë u afrova dhe nga nervat godita një këpucë, e cila e kapi atë në vetull”, thotë Ferguson.

Menjëherë pas këtij incidenti, tekniku skocez thotë se kishte kuptuar që kishte ardhur koha që Beckham të lihej i lirë të largohej nga Manchester United. Dhe lëvizja nuk vonoi, “Spice Boy” u transferua tek Reali i Madridit ku luajti për 4 vjet, për t’u hedhur më pas përtej Atlantikut tek LA Galaxy.

Sot, kur ka kaluar shumë kohë, Ferguson që për një kohë të gjatë nuk ka folur me Beckham, thotë se David zgjodhi famën përpara futbollit. Skocezi kritikon ish-kapitenin e Anglisë sidomos për transferimin e tij në SHBA dhe thotë se nëse Beckham do të kishte zgjedhur futbollin para famës, arritjet e tij do të ishin në të tjera nivele.

                     Victoria dhe David në një foto të janarit të 1998-ës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA