Elisabeth, në gjurmët e Edith Durham

23/10/2013 00:00

Është angleze dhe për herë të parë ka ardhur në Shqipëri para 7 vitesh, kohë kur vendosi të shoqërojë bashkëshortin e saj në detyrën që i ishte caktuar në Kosovë. Quhet Elisabeth Gowing dhe që në momentin e parë është dashuruar me Shqipërinë dhe Kosovën.

“Më ka bërë shumë përshtypje mikpritja e njerëzve dhe bukuria e peisazhit. Doja të hulumtoja edhe më shumë për vendin tuaj”, thotë Elisabeth.

“Edith & I” titullohet libri që Elisabeth ka botuar në gjuhën angleze rreth 100 vjet më vonë që nga koha kur Edith Durham ishte në Shqipëri.

“Ka qenë e frustruar shumë dhe në moshën 37-vjeçare ka pasur një krizë dhe mjeku i ka thënë që duhej të udhëtonte”, tregon Elisabeth.

Duke ndjekur gjurmët e paraardhëseve të saj, vendosi të japë kontributin për vendin ku jetonte: “Jam frymëzuar shumë nga jeta e Edith Durham, jo vetëm me lobimin për kauzën shqiptare, por edhe punën humanitare që ka bërë dhe unë e ndjej përgjegjësi të bëj diçka.”

Ka hulumtuar për të, ka takuar pasardhës të saj e madje ka përshkuar itinerarin që Durham ka bërë në Kosovë e në qytetin Shkodrës, në Shqipëri. Ajo ka qenë një shembull frymëzimi për zonjën që tashmë është zhvendosur në Tiranë, por që çdo javë nuk nguron të udhëtojë drejt vendit për të cilin ruan mbresa të veçanta: Kosovën.

Danielle Nesmith, martesa ime me Shkodrën dhe qytetarët e saj

Danielle Nesmith ka vetëm 1 vit e gjysmë që ka ardhur në Shqipëri, megjithatë thotë se e do këtë vend më shumë se sa vendin ku ka lindur, Washington DC.

“Shqiptarët janë shumë të mirë, janë shumë bujarë dhe sa herë që kam probleme më ndihmojnë”, thotë Danielle.

Ka mbaruar marrëdhënie ndërkombëtare, por jep mësim në shkollën “28 Nëntori” në qytetin e Shkodrës. Kjo është vetëm një pjesë e punës së saj sepse pjesën tjetër të ditës angazhohet për të ndihmuar komunitetin ku aktualisht jeton.

“Daniela bën gjithçka për këdo. Ka marrë pjesë në shumë evente bamirësie”, thonë shoqet e saj.

Ka ndërmarrë aktivitete të ndryshme për të ndihmuar komunitetin rom, për mbledhjen e mbeturinave, mësimdhënie për fëmijët e ngujuar apo edhe suporti për të rinjtë shkodranë e veçanërisht për nxënësit e saj.

Ka udhëtuar shumë e madje ka edhe një blog me rreth 30.000 ndjekës ku ndan eksperiencat me të gjithë ata që duan të dinë për Shqipërinë.

Ndër të tjera Danielle tregon se është aq shumë e lidhur me këtë vend e me shoqërinë këtu sa dëshiron të jetonjë përgjithmonë këtu, në Shkodrën e saj të dashur.

Të ndihmosh pa dhënë lëmoshë

“Duke qenë se më pëlqejnë shumë malet, shkova për herë të parë atje në 2004, në veri, së bashku me një arkeolog zviceran dhe pamë se kishte nevojë për të bërë diçka.”

Barbara Hausmmann ka ardhur për herë të parë në Shqipëri në vitin 2002 në një projekt kulturor dhe që prej asaj kohe jeton mes Tiranës dhe Zvicrës. Ka mësuar pak gjuhën shqipe, por duke qenë se nuk jeton këtu gjatë gjithë vitit, kjo ia vështirëson komunikimin dhe nguron të flasë shqip. Megjithatë, vendosi të ndihmojë atë kategori që ajo mendoi se kishte nevojë, jo duke i dhënë lëmoshë, por duke punuar për një hartë turistike.

“Njerëzit janë me të vërtetë të sjellshëm dhe mikpritës, veçanërisht malësorët, kështu që vendosëm të bënim diçka për të krijuar disa vende pune, kështu që lindi ideja për të zhvilluar turizmin malor”, shpjegon Barbara.

Puna e saj nuk ka qenë shumë e thjeshtë sepse herë pas here iu është dashur edhe të hapin vetë shtigjet për të kaluar turistët.

“Ka qenë e bukur sa edhe e vështirë, janë të dyja bashkë. Ishte shumë më e vështirë se tani sepse nuk kishte telefona, makina, nuk kishte asgjë në fillim. Mendoj se tani ata njerëz kanë një shpresë më shumë për të ardhmen, madje ka edhe nga ata që janë kthyer nga emigracioni, janë disa familje. Mendoj se kemi bërë një punë të mirë”, thotë Barbara.

Është optimiste, por asnjëherë nuk kënaqet me punën e saj, përkundrazi, gjatë të gjithë kohës kërkon përmirësime. Është duke punuar për të realizuar harta të detajuara të të gjithë terreneve të zonës së Malësisë, ashtu siç ka realizuar hartën për zonën e Kelmendit.

Top Channel