Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur të martën që të mos mbajë
seanca deri pas zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, për shkak të fushatës
dhe mungesës së deputetëve.

Por kundër shtyrjes së seancave deri pas zgjedhjeve u shprehën dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje, të cilat thanë se nuk është arsyetim fushata për të shtyrë punën e Kuvendit.

Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se deputetët janë të angazhuar në fushatë, prandaj puna e Kuvendit duhet të shtyhet.

Madje, Grabovci insistoi që në rend të jetë votimi i raportit qeveritar për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, pasi ka përfunduar debati dhe ka mbetur pa votuar.

Por opozita kundërshtoi fuqishëm, duke thënë se ky rast nuk mund të futet kjo pikë pasi është vazhdim i seancës dhe nëse ndodh një gjë e tillë ata do ta braktisin sallën.

Visar Ymeri nga Vetëvendosje tha se, Kuvendi është i bllokuar për shkak të pozitës, sepse ajo po ngurron të plotësojë komisionin hetimor për privatizimin e PTK-së.

Ndërsa Ardian Gjini nga AAK theksoi se, pushteti po heziton ta votojë komisionin hetimor për rastin në fjalë, njësoj sikurse opozita që po heziton ta votojë raportin e qeverisë për privatizimin e PTK-së.

Seanca e radhës do të mbahet me 7 nëntor, katër ditë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale.

Top Channel