Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga do të udhëtojë të mërkurën drejt
Berlinit, ku e pret një axhendë e ngjeshur takimesh me zyrtarët më të
lartë të shtetit gjerman.

Sipas raportimeve të “RTK”, të enjten Jahjaga do të pritet me një ceremoni të lartë shtetërore nga presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck.

Më pas ajo do të mbajë edhe një fjalim në Shoqatën Gjermane për Politikën e Jashtme, që është një rrjet kombëtar për diplomacinë dhe që prej 50 vjetësh kontribuon në formimin e mendimit politik në Gjermani.

Ndonëse në përgatitjen e axhendës së presidentes Jahjaga ishte diskutuar mundësia e një takimi me Angela Merkel, kjo nuk do të ndodhë për shkak të angazhimeve që kancelarja ka me formimin e koalicionit qeverisës.

Vizita e presidentes Jahjaga në Berlin konsiderohet e rëndësisë së veçantë, pasi Gjermania ka qenë, vazhdon dhe do të mbetet partner kryesor strategjik i Kosovës në të gjitha fushat.

Vizita e fundit zyrtare e presidentes Jahjaga në Gjermani ishte zhvilluar me 2 shkurt të vitit të kaluar, kur ajo qëndroi në Mynih me ftesë të ish-diplomatit gjerman Wolfgang Ischinger, në Konferencën e 49-të për Sigurinë.

Top Channel