
Fëmijët e një 65-vjeçari, të aksidentuar më 1 tetor në rrugën
Lushnjë-Fier, kanë nisur përpjekjet për të vërtetuar se babai i tyre
është i pafajshëm. Prej 3 javësh, Xhemal Ymeri nga Savra e Lushnjes
qëndroi shtrirë në spital sepse gjatë aksidentit ka humbur një këmbë.
Ai thotë se po ecte ngadalë në rrugë pasi ishte kthyer nga Lushnja, ku kishte shitur disa produkte.
“Isha duke ecur ngadalë me motorr, kur në sekondë ndjeva një makinë që më përplasi. Përfundova në ferra bashkë me motorrin tim”, rrëfen Ymeri.
I aksidentuari thotë se e kanë lënë për rreth një orë në tokë me këmbë të prerë dhe transporti për tek spitali ia kanë bërë dëshmitarët dhe jo autoambulanca. Dy fëmijët e tij pretendojnë se në vendin e ngjarjes skema e aksidentit është manipuluar.
“Hetuesi që bënte këqyrjen e vendit të ngjarjes u habit, si ka mundësi që makina doli nga njëra anë dhe babai ka dalë në anën tjetër. Nga një telefonatë e prokurorit, hetuesi ka ndërprerë të gjithë punën. Kemi shkuar tek prokurori, i kemi kërkuar llogari se përse u ndërpre puna. Por ai nuk na dhënë shpjegime dhe na nxjerrë jashtë me forcë”, thonë fëmijët e 65-vjeçarit.
Një shenjë në bordurë, sipas familjarëve, është stisur sepse nga goditja hekurat nuk janë shtypur.
“Një nga policët ka hyrë në sallë të operimit dhe i kërkonte babait firmën me zor. I kemi kërkuar fletën që kishte në dorë ta lexonim dhe nuk na kane lejuar”, thotë vajza e 65-vjeçarit.
Policia ka lënë një procesverbal në të cilin bën përgjegjës 65-vjeçarin që ka prerë rrugën, ndërsa familjarët e tij pretendojnë të kundërtën.
“Kërkojmë që të zbardhet çështja. Duam që të zbardhet kjo cështje, sepse nuk është sic kemi parë edhe nga ngjarja, nuk është asgjë e vërtetë, janë të gjitha manipulime, që i kanë bërë atë natë oficerët e policisë”, thotë djali i të moshuarit.
Cështja është ende nën hetim, ndërsa 65-vjecari ka humbur një këmbë nga aksidenti. Në këtë aks rrugor situata të tilla përsëriten shpesh, për shkak të kushteve të rrugës, por më së shumti nga shpejtësia e madhe e lëvizjes dhe e mosrespektimi i rregullave.
Top Channel