Fëmija mbretëror, pagëzim “low profile”

22/10/2013 00:00

Që nga fejesa e tyre në kohën e universitetit, William dhe Kate nuk i janë përmbajtur shumë etikës mbretërore.

Edhe zërat për një pavarësi psikologjike të saj nga mbretëresha Elizabeth duket se janë të vërtetë, me dy të rinjtë që kanë ndërmend të vazhdojnë në rrugën e tyre.

Këtë e vërteton stema e re mbretërore që iu dha çiftit kur u martua, por më shumë pagëzimi i djalit të tyre, princit George Alexander Louis në stil “low profile”.

Pagëzimi, sipas riteve anglikane, do të bëhet më 23 tetor nën drejtimin e arqipeshkvit të Kentbërit, në Kishën Mbretërore të St. James’s Palace.

Ceremonia do të nisë në 15:00 dhe do të zgjasë vetëm 45 minuta. George do të pagëzohet me ujin e Jordanit të hedhur në një vaskë argjendi.

Çifti ka thyer traditën edhe në zgjedhjen e kumbarëve për djalin e parë të tyre, i treti në linjën e pasardhësve të fronit mbretëror britanik. Kensington Palace ka saktësuar se kumbarët e George do të jenë gjashtë.

Lista e të ftuarve nuk është publikuar ende, por nga burime zyrtare mësohet se të pranishëm do të jenë vetëm anëtarët e afërt të dy familjeve.

Të njëjtat burime, të cituar nga “Sunday Times” dhe “Telegraph”, thonë se William dhe Kate kanë vendosur të zgjedhin miq personalë dhe shokë të universitetit si kumbarë.

Një thyerje e traditës, që deri më sot kërkonte që kumbarë të një anëtari të familjes mbretërore, aq më tepër të një trashëgimtari të fronit, të ishin princërit ose vetë mbreti.

Top Channel