Bilanci i BE, rrezikohet tjetër ‘shutdown’

22/10/2013 01:40

Europa mund të përfundojë si Shtetet e Bashkuara!

Pa arritur një marrëveshje brenda mesit të nëntorit, Komisioni Europian “nuk do të ketë më parà për të paguar faturat”, me të cilat sigurohen financimet europiane, përfshi fondet strukturore.

Ky alarm është lëshuar nga presidenti i Komisionit, Jose Manuel Barroso, në një telefonatë të bërë me presidentin e Parlamentit Europian, Martin Schulz.

Ai që i është referuar telefonatës dhe urgjencës së çështjes së ngritur nga Barroso ka qenë vet Schulz, gjatë hapjes së seancës plenare të PE-së në Strasburg. “Barroso më ka telefonuar dhe më ka informuar se nga mesi i nëntorit nuk do të ketë më parà për të paguar faturat”, me anë të të cilave sigurohen financimet e KE-së. “Kemi arritur deri këtu, – ka theksuar Schulz, – sepse vendet anëtare nuk kanë respektuar impenjimet e tyre”.

Për të aprovuar një bilanc të modifikuar në një kohë sa më të shpejtë, presidenti i PE ka propozuar një mbledhje të jashtëzakonshme të komisionit për bilancin ditën e martë, e nëse llogaritë e reja do të aprovohen, atëherë do të hapet “drita jeshile” e seancës plenare të së mërkurës ose të enjtes.

Overdrafti i detyrohet të ardhurave të munguara nga detyrimet doganore, si shkak i krizës, me një “gropë” prej 2,7 miliardë eurosh, të cilat KE ia kërkon shteteve anëtare për t’i plotësuar menjëherë.

Deri më tani pritej që, për shkak të presioneve nga Berlini, bilanci të modifikohej vetëm një herë, duke përfshirë 2,7 miliardët e mësipërme, 3,9 miliardë euro shtesë të propozuara nga eurodeputetët dhe të paalokuara ende, përveç 400 milionëve të destinuara për të kompensuar dëmet e pësuara nga përmbytjet.

Alarmi i KE mund të ndajë tashmë paketën, teksa PE frikësohet se mund të përballet me shtyrjen e alokimit shtesë prej 3,9 miliardësh.

Top Channel