Kryeministri i kosovar Hashim Thaçi falënderon homologun e tij serb Ivica Daçiç, i cili u bëri thirrje qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë të dalin në zgjedhjet lokale më 3 nëntor.

Sipas kryeministrit kosovar, Daçiç gjatë viitës së tij në Kosovë ka ftuar serbët që të bëhen pjesë e institucioneve të Republikës.

“Dëshiroj të falënderoj kryeministrin Daçiç që i ka ftuar serbët të bëhen pjesë e Institucioneve të Kosovës. Ai po i ndihmon serbët e Kosovës që të bëhen pjesë e institucioneve të vendit”, deklaroi Thaçi.

Deklarata e Thaçit u bë gjatë inspektimit të punimeve që po kryhen në “Rrugën e Kombit”. Ndërkohë, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit në Prishtinë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se po të kishte një mocion në Kuvend për të vendosur në lidhje me hyrjen e kryeministrit serb Ivica Daçic në Kosovë, ai vetë do të votonte kundër.

Krasniqi tha se qëndrimi i tij dihet, meqë ka votuar edhe kundër marrëveshjes së arritur në Bruksel mes dy kryeministrave më 19 prill.

“Këtu nuk jam për të shfaqur qëndrimin tim personal. Ju e dini qëndrimin tim për marrëveshjen dhe ju e dini që marrëveshja është votuar jo veç nga pozita, por edhe një pjesë të opozitës dhe pyetjet duhet t’ia drejtoni atyre. Ju e dini që unë nuk e kam votuar marrëveshjen, edhe mocionin do ta përkrahja”, deklaroi Krasniqi.

Kryetari Krasniqi ndër të tjera shprehu shqetësimin rreth mbajtjes së seancave të Kuvendit gjatë kohës së fushatës elektorale. Ai tha se në kryesi është rënë dakord që të diskutojnë edhe një herë gjatë së martës me shefat e grupeve parlamentare për të vendosur a do të mbahen seancat apo jo.

Seanca e fundit që u mbajt me 17 tetor u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit, pasi koalicioni qeverisës nuk mori pjesë në seancë, e po ashtu edhe kabineti qeveritar nuk ishte prezent.

Top Channel