Denis Dyrnjaja – Këto ditë ndër temat më të përfolura në qarqet mediatike sportive, por
më së shumti në forumet e ndryshme në internet kanë qenë: E ardhmja e
trajnerit Gianni de Biasi në krye të ekipit kombëtar të futbollit dhe
angazhimi i lojtarëve me kombësi shqiptare që luajnë në klubet
europiane, në Ekipin Përfaqësues të Shqipërisë.
Për sa i përket “Çështjes De Biasi”, vendimi për nënshkrimin e një kontratë të re, ndoshta duhej lidhur paraprakisht me një analizë të thellë dhe serioze të rezultateve të ekipit kombëtar, që as nuk u bë dhe me gjasë, as nuk do të bëhet. Por pavarësisht kalimit në heshtje të kësaj paraqitjeje zhgënjyese, problematika mbetet. Natyrshëm lind dhe pyetja: A i duhet Shqipërisë një trajner i huaj, në raport me rezultatet e arritura, apo jo? Përgjigjja në këtë rast buron nga faktet. Me koston që ka një trajner i huaj, ku përfshihet dhe paga e tij e me rezultatet që ka marrë kombëtarja në kompeticionet zyrtare, në logjikë shifrash në raportin shpenzim-përfitim, duket se nuk ia vlen që të harxhohen aq shumë para për të njëjtën status quo që ruan ekipi ynë kombëtar prej vitesh.
Duke qenë se mirëfilli nuk ka një strategji afatmesme apo afatgjatë, pa objektiva konkrete e pa përgjegjësi ndaj angazhimeve zyrtare të ekipit tonë përfaqësues, pritshmërisë publike të një tifozerie mbarëshqiptare dhe dështimeve, do të ishte më e natyrshme të ktheheshim te skema e hershme e drejtimit të skuadrës nga një trajner shqiptar. Koha ka provuar se edhe trajnerët e huaj, nuk po prodhojnë asgjë më shumë se ç’kanë bërë trajnerët vendas, në këndvështrimin e rezultateve dhe statistikave. Prej vitesh në çdo kompeticion zyrtar jemi në 3 vendet e fundit, e kjo me sa duket, jo për faj e përgjegjësi të trajnerëve, por për filozofinë që mungon jo vetëm për ekipin kombëtar, por për futbollin shqiptar në tërësi. Në këto kushte, të paktën të ulen shpenzimet, se ato para që po paguhen për trajnerët e huaj, të cilët ikin e vijnë, pa mundur dot të lënë gjurmë suksesi, mund të shërbejnë për restaurimin e ndonjë stadiumi apo krijimin e ndonjë strukture të posaçme dhe efikase në FSHF. Por këto nisma nuk bien nga qielli. Ato janë pjesë e një mendësie progresive e cila i mungon sot sferës së futbollit në Shqipëri. Çdo herë e më shumë po bëhet e domosdoshme një reformë e thellë brenda të gjithë strukturës që menaxhon këtë sport. Rastet e dy futbollistëve shqiptarë Pajtim Kasami e së fundmi Adnan Januzaj, që pohuan publikisht se nuk janë kontaktuar në rrugë zyrtare e sipas një procedure që ndiqet ndërkombëtarisht, është një mesazh i qartë se nuk mund të shkohet më me improvizime dhe mendësi folklorike drejt një futbolli elitar siç kërkon koha dhe publiku. Minimumi i mundshëm do të ishte që Federata e Futbollit të krijonte një strukturë apo një zyrë të posaçme me personel që ka aftësitë e duhura të negocimit e përfaqësimit, që të paktën në këtë drejtim të shfaqnim seriozitet, besim e profesionalizëm në rekrutimin e futbollistëve që luajnë jashtë vendit. Dhe kjo strukturë nuk mund të lindë nga hiçi, ose nga kafenetë e drekat e aparatçinjve të Federatës. Ajo vjen natyrshëm, në kuadër të një strategjie të përgjithshme për zhvillimin e futbollit në Shqipëri, me një plan konkret objektivash e buxheti. Realizimi i kësaj strategjie ka nevojë për mendësi dhe energji të reja njerëzore e gjithëpërfshirëse. Në këtë stad ku është sot futbolli shqiptar, do të mbetet edhe për shumë vite me radhë, pasi është peng i vendimeve improvizuese për të mos thënë dhe për interesa të caktuara individuale apo grupimesh brenda dhe afër njerëzve të FSHF. Futbolli ka lindur dhe ekziston si një lojë popullore, ndërsa ekipi kombëtar është përfaqësim i një kombi dhe asnjëri prej tyre nuk është as pronësi dhe as atribut i askujt. Kombi ka nevojë për dinjitetin e kombëtares së vet, ndërsa futbolli për dinjitetin e Federatës së vet. Deri sot në të dy rastet si populli, si futbolli me ato ç’ka përfaqësohen, duket se janë disi në siklet. Ndaj nuk është vonë që kjo Federatë të shkundet nga letargjia dhe paaftësia që e ka kaptuar. Vendimet historike dhe kurajoze i ndërmarrin njerëz që bëjnë diferencën e në këtë rast Presidenti Armand Duka ka në dorë një mundësi të artë, ta shkundë atë institucion nga individët që vegjetojnë, nga servilët e të paaftët. Nuk ka pse të jetë kusht, që duhet të kesh qenë ose ish-futbollist, gazetar ose komentator, që të punosh apo kontribuosh në federatë. FSHF duhet hapur ndaj njerëzve me aftësi të spikatura menaxhimi, që kanë ide dhe projekte të reja e konkrete. Duhet gjeneruar një frymë reformuese që të prekë në çdo qelizë të gjithë këtë institucion dhe në mënyrë kapilare të gjithë strukturën që lidhet me futbollin në Shqipëri. Kjo reformë do të ishte mes të tjerash edhe në interesin personal të vetë zotit Duka, sepse do t’i jepte kuptim presidencës së tij shumëvjeçare, pasi në të kundërt s’do kishte ç’të shënonte në CV-në personale në këtë aspekt, përveç viteve të mbretërimit në krye të një federate “të mykur” e “të lodhur”. Zoti President kjo federatë duhet shkundur, se pesha e pluhurit të saj po rëndon gjithmonë e më shumë mbi kurrizin e futbollit në Shqipëri. Një federatë me njerëz që kanë mendësi të moderuara e energji të reja do të kishte kurajën, aftësitë dhe guximin të ndërmerrte hapa radikalë reformash, që do t’i hapnin rrugën shpresës dhe të ardhmes së një futbolli të shëndetshëm nga i cili do të fitojnë të gjithë, së pari publiku i etur për të parë në stadium futbollin e vërtet dhe cilësor, së dyti klubet që do të rigjenin identitetin e nëpërkëmbur dhe së treti ekipi përfaqësues, i cili nuk do të mbetej me sytë nga futbollistët e importuar, por do të furnizohej me lojtarë nga Kategoria Superiore. Progresi nuk mund të vijë nga një apo disa individë, sado të aftë qofshin ata. Sistemi është ai që garanton suksesin. Tani për tani sistem nuk kemi. Nuk duam apo nuk dimë ta ndërtojmë? Përgjigjen e kësaj pyetjeje thelbësore e mbart me vete veprimi ose mosveprimi juaj zoti President.
Top Channel