I mbiquajtur “Fenomeni”, Luis Nazario de Lima “Ronaldo” dha një intervistë të gjatë këtë të hënë për portalin e “FIFA-s” në internet, gjatë së cilës përzgjodhi Brazilin, Gjermaninë dhe Spanjën si tre favoritet e mëdha për titullin në Botërorin e vitit të ardhshëm.
Favoritët – “Mendojnë se Brazili është favoriti kryesor. Kemi shumë shanse. Gjermania dhe Spanja janë ekipe shumë të forta, por Brazili është në rritje të vazhdueshme dhe do të luajmë në shtëpi. Sipas meje, favoriti kryesor jemi ne, ndjekur nga Gjermania dhe pastaj kampionët në fuqi”, deklaroi Ronaldo i pyetur për fituesit e mundshëm.
Klose – Nëse do të grumbullohet me Gjermaninë dhe do të shënojë dy gola në Botëror, Miroslav Klose do të thyejë rekordin e Ronaldos për golashënuesin më të mirë në historinë e Botërorëve. “Shumë njerëz flasin për këtë mundësi, por unë mendoj se në sport rekordet janë bërë për t’u thyer. Sidoqoftë, 15 golat që unë kam shënuar, nuk është se do të fshihen ndonjëherë nga fakti që dikush tjetër do të ketë shënuar më shumë. Nëse do të më kalojë, do të jem i pari që do ta telefonoj për ta uruar, pasi e di se sa e vështirë është kjo”, tha “Fenomeni”.
Premier League – Ronaldo luajti me Realin, Barcelonën, Milanin dhe Interin, por i mungoi një përvojë në Angli. “Do të më kishte pëlqyer të luaja një herë në Premier, ku nuk pata kurrë shans apo kohë për t’u aktivizuar”, shtoi fituesi i dyfishtë i Topit të Artë.
Top Channel