Problemet shëndetësore të Cheney-t

21/10/2013 22:50

Problemet kardiake e kanë përndjekur ish-zëvendëspresidentin amerikan, Dick Cheney, gjatë pjesës më të madhe të jetës.

Vitin e kaluar, telashet e 72-vjeçarit do të kulmonin me një transplant të zemrës. Por, ajo që nuk dihej dhe që ish-numri dy i Shtëpisë së Bardhë e bën publike vetëm tani, është se kishte vendosur ta modifikonte defibrilatorin e zemrës, nga frika e një sulmi terrorist.

Mjeku i Cheney-t e çaktivizoi funksionin Wireless të defibrilatorit në 2007-n, për të parandaluar militantët të ndërhynin në mekanizëm, duke e bërë që të shkaktonte një atak kardial vdekjeprurës.

Një skenar i ngjashëm është përdorur edhe në një serial të njohur televiziv. “Unë vetë e konsideroj të besueshëm”, tha Cheney, në programin “60 minuta” të televizionit CBS.

“E di nga eksperiencat që kam pasur dhe nga domosdoshmëria që më ka lidhur me mirëfunksionimin e aparatit tim, se manipulimi i tij ishte më se i mundshëm, shtoi ish-krahu i djathtë i George Bush, gjatë luftës kundër terrorizmit.

Një pohim të tillë e mbështet edhe Adrian Culley, konsulent teknik i kompanisë së sigurisë, Damballa.

Të gjitha studimet tregojnë se është plotësisht e mundshme të ndërhyhet në një mekanizëm të tillë, kur ekziston afërsia me individin, – sqaron ai, – duke shtuar megjithatë se mundësia për një sulm të suksesshem ndaj Cheney-t do të kishte qenë tepër e vogël.

Një aparat ICD monitoron rrahjet e zemrës dhe, nëse dikton çrregullim të ritmit, nis e dërgon impulse elektrike të një energjie të ulët, për ta detyruar organin të rikthehet në normalitet.

Në 2008-n, një grup shkencëtarësh të Universitetit të Washington-it, atij të Massachusetts-it dhe shkollës së mjekësisë së Harvard-it, deklaruan se mund t’i godisnin këto aparate me valë, që do të kompromentonin sigurinë e pacientit.

Top Channel