Liderja e ekstremit të djathtë francez, Marine Le Pen ka kërkuar dorëheqjen e presidentit Francois Hollande, në lidhje me dëbimin e vajzës kosovare Leonarda Dibrani.

Le Pen ka deklaruar se presidenti ka turpëruar Francën me mënyrën se si ka trajtuar çështjen e vajzës kosovare, e cila u dëbua javën e kaluar bashkë me familjen.

“I pari që duhet të japë dorëheqjen nuk është ministri Manuel Valls, por presidenti i Republikës. Hollande ka shkelur ligjin”, ka deklaruar kryetarja e Frontit Kombëtar.

Ndërkohë, autoritetet e rendit në Mitrovicë, ku ndodhet tashmë familja Dibrani, kanë bërë të ditur përmes një komunikate se kanë arrestuar një person të dyshuar për sulmin e ndodhur ditën e dielë ndaj familjes në fjalë.

Sipas policisë, në pranga ka përfunduar një person me inicialet R.B, i cili në momentin e sulmit ndaj familjes Dibrani shoqërohej me bashkëshorten e tij, E.B, të dy me përkatësi etnike rome.

“Duke pasur parasysh deklaratat dhe rrethanat e incidentit dyshohet se dy familjet janë përfshirë në konflikt për motive familjare të mëhershme mes tyre”, thotë policia. Në komunikatë sqarohet më tej se të dyshuarit, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Fundjavën e kaluar presidenti Francois Hollande deklaroi se, Leonarda mund të kthehet në Francë nëse do të vijojë studimet, por pa familjen e saj.

Top Channel