Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka prezantuar të hënën përfundimet e monitorimit të javës së dytë të fushatës zgjedhore në Kosovë.

Fushata në përgjithësi është vlerësuar se po zhvillohet e qetë dhe pa ndonjë incident serioz, me përjashtim të veriut të Kosovës.

Driton Selmanaj nga DnV ka kritikuar KQZ-në për mospastrim të listave nga votuesit që jetojnë jashtë vendit. Sipas tij, të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës nga regjistrimi i fundit i popullsisë del se në Kosovë jetojnë 1.815.606 banorë rezidentë, që i bie vetëm 36.249 më shumë se sa ka votues në listën përfundimtare të votuesve.

Sipas DnV-së, edhe gjatë javës së dytë të fushatës, kandidatët e partive politike nuk kanë arritur të ofrojnë projekte konkrete. Kurse nga ana tjetër kjo fushatë po karakterizohet me premtime nga ana e lidershipit të subjekteve politike, veçanërisht partisë në pushtet PDK, për investime me shuma marramendëse, edhe pse këto zgjedhje janë të nivelit lokal.

Një shqetësim tjetër i adresuar në konferencë është edhe përdorimi i aseteve publike në fushatë, ku janë identifikuar në 17 raste, në 12 raste janë përdorur në tubimet e organizuara nga PDK (Prizren, Gjilan, Rahovec, Mitrovicë, Vushtrri, Fushë Kosovë) dhe 2 raste nga AAK (Prizren).

Në këtë fushatë po vazhdon edhe më tej përdorimi i fëmijëve, ku në tubimet e subjekteve politike janë evidentuar 25 raste.

Top Channel