6 gola, një karton i kuq, një 11-metërsh i shpërdoruar dhe dy skuadra që ndajnë nga 1 pikë. 3-3 përfundoi ndeshja mes Torinos dhe Interit, skuadër kjo e cila luajti që nga minuta e pestë me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të portierit Handanovic.
Interi barazoi dy herë rezultatin, kaloi në avantazh me Palacion, por goli i Bellomos në fund vulosi barazimin dhe bëri që skuadra e Mazarrit të kthehet në Milano me 1 pikë.
Pas këtij rezultati zikaltërit ngjiten në kuotën e 15 pikëve ndërkohë që humbasin vendin e katërt në klasifikim.
Ajo që ka ndodhur në “Artemio Franchi” mund të konsiderohet si e pabesueshme, por është e vërtetë.
Fiorentina arrin të mposhtë Juventusin, pas vetëm 15 minutave të fundit,
ku realizon një përmbysje të jashtëzakonshme: ishte në disavantazh të
dy golave, ato të shënuara nga Tevez (11 metërsh) dhe Pogba, por në të
dytën, të besuarit e Montella-s, të udhëhequr nga një Giuseppe Rossi në
formë të shkëlqyer, shënojnë 4 gola.
“Pepito” shkurton distancën e më pas barazon shifrat, avantazhin ekipit “viola” ia jep Joaquin, ndërsa rezultatin e vulos sërish Rossi. Juventus mbetet kështu 5 pikë larg Romës, që fitoi ditën e premte ndaj Napolit 2-0.
Kjo është humbja e parë për Juven në kampionat, një humbje që vjen në një ndeshje ku kishin një avantazh prej 2 golash, por mbi të gjitha një goditje e papritur, si pasojë e gabimeve në mbrojtje dhe në portë, që vjen përpara ndeshjes ndaj Real Madrid, në mesjavë, për Champions League.
Ditën e diel e hapi ndeshja e Bergamos, ku Atalanta vendase mposhti 2-1 Lacion. Me po të njëjtin rezultat fiton edhe Genoa ndaj Chievo-s, si dhe Sassuolo me Bologna-n. Shifrat nuk ndryshojnë, por këtë herë në transfertë, Sampdoria triumfon kundër Livornos, ndërsa Verona-Parma mbyllet me rezultatin 3-2.
Ndërkohë, të shtunën Milani fitoi 1-0 ndaj Udinezes, ndërsa Cagliari 2-1 me Catania-n.
Top Channel