Pasi janë paraqitur mesditën e së hënës në gjykatë, policia greke ka arrestuar çiftin e ciganëve që akuzohet se ka rrëmbyer vajzën e vogël që nuk është me origjinë rome, si dhe për plotësimin në vazhdimësi të dokumentave të rreme të identifikimit për të, me qëllim shfrytëzimin e saj.
Hristos Sali dhe Eleftheria Dhimopoulou, që janë çuar më pas në burgun e Larisës, kanë deklaruar se vogëlushja me flokë të verdhë dhe sy bojëqielli që ata e thërrisnin Maria, është fëmijë e një familjeje rome nga Bullgaria dhe nëna biologjike e saj ua ka dorëzuar atyre pasi nuk mund ta rriste vetë.
“Klientët tanë pretendojne se nuk e kanë rrëmbyer këtë fëmijë të adoptuar. Ne jemi në mes të një hetimi privat dhe shpresojmë se sonte ose nesër ne do të gjejme nënën”, ka deklaruar Kostas Katsavos, avokat i çiftit rom.
Ata kanë kërkuar që të hapen tabulatët e tyre telefonikë, në mënyrë që të vërtetojnë që prindërit ua kanë dorëzuar vajzën me dëshirën e tyre. Ndërkohë, 39-vjeçari Sali Xristos ka fajësuar gruan e tij se ajo ka këmbëngulur për ta mbajtur vogëlushen. Policia greke ka publikuar me vendim të gjykatës edhe dy fotografitë e çiftit rom.
“Në qoftë se ata do te dëshironin të bënin diçka, dmth për ta shitur atë, fëmija është rreth pesë vjeç dhe është ende në këtë familje. Ata e duan atë dhe kujdesen për të si fëmijën e tyre”, vijon avokati.
Sipas mjekut ligjor, bazuar në analizat dentare, vajza që mbahej prej disa vitesh nga familja rome është 5 deri në 6 vjeç. Bazuar në karakteristikat e saj, policia beson se Maria, që shqipton vetëm disa fjalë në gjuhën greke dhe dialektin e romëve, është nga Europa Lindore ose vendet skandinave.
Zbulimi i vajzës ka shokuar Greqinë dhe është kthyer në një temë të mprehtë për mediat në gjithë botën, të cilat kanë bërë apel për gjetjen e prindërve të saj realë, pasi testet e ADN-së kanë treguar se ajo nuk ishte e lindur nga romët.
Nga ngjarja gjithashtu kanë lindur pyetje nëse fëmija është rrëmbyer me porosinë e dikujt, si dhe nëse çifti rom është pjesë e një organizate për trafikimin e fëmijëve, duke shkaktuar paralelisht edhe një krizë të thellë besimi tashmë për komunitetin rom në Greqi.
Pasditen e së hënës, në një kamp romësh në Zefiri të Athinë dhe në dy kampe të tjera në Perea dhe Dhiavata pranë Selanikut, policia greke ka shoqëruar mbi 150 romë dhe ka arrestuar më pas 10 prej tyre për vepra penale që nuk kanë të bëjnë me çështjen e rrëmbimit të vajzës së vogël.
Top Channel