Mbrojtja e Trashëgimisë Kulturore

20/10/2013 19:55

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka dhënë një deklaratë për mediat, në lidhje me nismën për hartimin e përgjithshëm të planit të territorit dhe pezullimin e dhënieve të lejeve zhvillimore, që prekin zonat e Trashëgimisë Kulturore.

Duke theksuar rëndësinë e ruajtjes, jo vetëm të objekteve të trashëgimisë, por edhe hapësirave e peisazheve përreth tyre, zonja Kumbaro tha se, pas nisjes së analizës së dokumentacionit të vendimeve të marra nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, nuk është avancuar me vendimmarrje të reja, duke pezulluar dhënien e lejeve zhvillimore, që prekin zonat e Trashëgimisë Kulturore.

“Kjo i është bërë menjëherë e ditur të gjitha njësive të pushtetit vendor, që, për një kohë të shkurtër nuk do të ketë shqyrtime të reja të projekteve, pasi kjo analizë do të shpjerë shumë shpejt në riformatimin e KKR dhe në vendosjen e rregullave të reja, në respekt të plotë të ligjit, të vendimmarrjes kolegjiale dhe të transparencës së plotë të vendimeve të KKR dhe të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë”, tha Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës.

Në vazhdim të vendimit të KKT, për moratoriumin që ndalon çdo lloj ndërtimi në qendrat historike Krujë, Berat e Gjirokastër, deri në përfundimin e planit të përgjithshëm kombëtar të territorit u bënë me dije hapat që do të ndiqen.

“Rishikimin e të gjitha vendimeve dhe të kuadrit ligjor, që rregullon administrimin e Trashëgimisë Kulturore në këto zona. Përcaktimin e kompetencave të qarta të institucioneve të Trashëgimisë Kulturore, të cilat nuk duhet të veprojnë në bazë të vullneteve individuale dhe as të interesave të ditës, por si rezultat i kuadrit ligjor, vendimeve kolegjiale dhe afatgjata të ekspertëve të fushës. Një reformë në sistemin e administrimit të TK, për një menaxhim më të mirë territorial, për rritje të përgjegjësisë së aktorëve në terren dhe për një mbulim më të plotë të territorit”, u shpreh Mirela Kumbaro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA