Veriu i Mitrovicës është tronditur sërish nga një shpërthim i fuqishëm që ka ndodhur rreth 40 minuta pas mesnate.

Lajmin e bën të ditur agjencia “KosovaPress”, që citon burime policore lokale, sipas të cilave shpërthimi është shkaktuar nga një granatë që është hedhur në tarracën e shtëpisë së kryetarit të partisë SPS, Ninosllav Xheriç.

Për fat të mirë, nga shpërthimi, përpos dëmeve materiale, nuk ka të lënduar në njerëz, saktësojnë burimet, që shtojnë se policia po zhvillon hetime rreth këtij sulmi.

Mëngjesin e së premtes një shpërthim i ngjashëm ndodhi në të njëjtën zonë, edhe në këtë rast pa shkaktuar të lënduar. Megjithatë, nga sulmi pati dëme materiale, pasi u dëmtuan tri lokale pranë banesës ku ndodhi shpërthimi.

Ndërsa para disa ditësh një tjetër shpërthim ndodhi në shtëpinë e banorit serb Nebojsha Mariç, i cili ishte kandidat për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Mariç mbeti i plagosur lehtë dhe burime nga partia e tij njoftuan se ai u tërhoq nga gara zgjedhore.

Top Channel