SHBA-të zgjedhin bazën ajrore të Rumanisë

19/10/2013 04:00

Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje me Rumaninë, për të përdorur një bazë ajrore në zonën e tyre të tranzitit, për forcat amerikane që do të largohen nga Afganistani, bënë të ditur zyrtarët.

Marrëveshja u arrit pas bisedimeve bilaterale në Pentagon. Kjo lëvizje do t’i lejojë SHBA-ve të devijojnë operacionet e tyre ajrore drejt Rumanisë, nga baza ajrore “Manas” në Kirgistan, kur forcave amerikane t’u skadojë afati i qëndrimit në korrik 2014.

Ëashington-i planifikon të tërheqë pjesën më të madhe të 52 mijë ushtarëve në Afganistan deri në fund të 2014-s. SHBA-të duan të lënë një pjesë të vogël të ushtarëve atje, pas afatit të tërheqjes, por ende janë duke negociuar detajet kryesore me qeverinë në Kabul.

Marrëveshja, në lidhje me përdorimin e bazës ajrore “Mihail Kogalniceanu” në Rumani, u arrit gjatë bisedimeve mes Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Chuck Hagel, dhe ministrit rumun të Mbrojtjes, Mircea Dusa.

Në një deklaratë, zëdhënësi i Pentagonit, George Little, tha se Hagel “lavdëroi marrëveshjen, që është veçanërisht e rëndësishme teksa SHBA-të përgatiten për të siguruar vende pushimi tranziti për operacionet e tyre”.

“Sekretari Hagel nënvizoi se kjo marrëveshje është një tjetër provë e angazhimit të palëkundur të Rumanisë ndaj misioneve të ISAF (Forcave Ndihmëse të Sigurisë Ndërkombëtare) dhe angazhimit të tyre në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”.

Gjithsesi, detajet e marrëveshjes nuk janë bërë të ditura. Baza ndodhet pranë qytetit Constanta, që ndodhet në brigjet e Detit të Zi. Në qershor, parlamenti i Kirgistanit votoi për t’i dhënë fund huazimit të “Manas” ndaj SHBA-ve deri në korrik 2014.

SHBA-të paguajnë 60 milionë dollarë çdo vit për të marrë me qira bazën, e cila ka qenë pjesë e operacioneve që prej vitit 2001. Rusia ka gjithashtu një bazë ajrore në Kirgistan, për të cilën ka arritur një marrëveshje rinovimi prej 15 vitesh, gjatë vitit të kaluar.

Top Channel