PD: Qeveria po destabilizon financat

19/10/2013 00:00

Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu ka akuzuar paraditen e së shtunës qeverinë Rama se po tenton të krijojë destabilitet financiar në vend.

Në një deklaratë për shtyp, Shehu ka deklaruar se situata ekonomike në vend është e qëndrueshme dhe kjo sipas tij është konfirmuar nga raportet e institucioneve ndërkombëtare.

“FMN konfirmoi stabilitetin ekonomik të Shqipërisë. Situata u konfirmua edhe nga raport-progresi i Komisionit Evropian”, ka thënë Shehu, i cili ka hedhur akuza ndaj kabinetit Rama.

“Qeveria synon destabilizimin e vendit. Këtë e dëshmuan ndryshimet në buxhet të miratuara dje. Qeveria nuk ul shpenzimet e veta. Ajo vetëm sa zhbën ato që kemi bërë ne”, ka shtuar Shehu.

Ditën e premte komisioni kuvendor i ekonomisë miratoi ndryshimet në buxhet që ulin shpenzimet publike dhe rrisin borxhin me 22.4 miliardë lekë mbi kufirin e fillimvitit. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani shpjegoi para deputetevë arsyet që sipas tij i çuan financat publike në këtë pikë.

“Është rezultat i një pune ekstremisht të dobët nga dy autoritetet kryesore fiskale, por edhe të tretin që është lojrat e fatit, por janë ato të dyja përgjegjësit kryesorë”, deklaroi Cani.

Ndryshimet shkaktuan përplasje të forta në komision mes maxhorancës dhe opozitës së rikthyer në Kuvend. Debati nisi me planin e të ardhurave në tre muajt e mbetur të vitit.

“Në 8 muaj mosrealizimi mesatar mujor ka qenë 1.5 miliardë lekë, kurse ju do ta çoni në 5 miliardë lekë”, deklaroi ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.

“Në qershor 2013 kanë hyrë në fuqi akte elektorale që zbusin tatim-taksat. Ne njëri-tjetrit nuk mund t’i fshehim faktin se 6-mujori i dytë në kohë elektorale ka qenë shumë më i ngarkuar”, replikoi ministri Cani.

Top Channel