Lirohen pelegrinët libanezë nga Siria

19/10/2013 02:30

9 pelegrinë shiitë nga Libani, të cilët ishin kapur peng në Siri, janë liruar, bëri të ditur ministri i Brendshëm libanez. Pelegrinët kanë kaluar tashmë kufirin për në Turqinë jugore dhe do të
rikthehen së shpejti në Liban, sipas ministrit Marwan Charbel.

Ata ishin pjesë e një grupi prej 11 vetësh, të cilët u kapën peng teksa përpiqeshin të riktheheshin në Liban gjatë majit 2012, pas një turi nëpër vendet e shenjta në Iran. Dy prej anëtarëve të grupit u liruan menjëherë pas ngjarjes.

Lirimi i pelegrinëve është raportuar nga zyrtarët libanezë, 3 ditë pasi ata u morën peng, por më pas u mor vesh se ata nuk e kishin lënë territorin sirian.

“Historia mori fund”, tha Charbel për agjencinë e lajmeve “Reuters”. “Në 24 orët e ardshme, ata do të jenë me ne në Liban”.

Ministri i Jashtëm i Katarit tha për rrjetin televiziv “al-Jazeera”, gjatë së premtes, se lirimi i pelegrinëve u përmbush tashmë me ndërmjetësimin e Katarit.

Lajmi u prit me festime në Bejrutin jugor, ku të afërmit e disa prej pengjeve jetojnë, bëjnë të ditur raportimet e mediave lokale.

Në gusht, një grup me emrin “Zuwwar al-Imam Rida” mori përsipër pengmarrjen e 2 pilotëve turq në Bejrut, duke thënë se ata do të liroheshin në këmbim të pelegrinëve.

Charbel shtoi se tashmë pret që edhe 2 pilotët, Murat Akpinar dhe Murat Agca, të lirohen së shpejti, njofton “Reuters”.

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, është cituar të ketë thënë se pret zgjidhjen e kësaj çështjeje së shpejti.

“Këto janë zhvillime pozitive sa i përket pilotëve, një çështje që kryesisht duket e zgjidhur”, tha Davutoglu për një televizion turk, sipas “AFP”-së.

Top Channel