BE: Keqardhje që partitë në Kosovë s’gjetën një figurë unifikuese për president “Nëse do të dojë të vazhdojë shkollën në Francë, atëherë mund ta bëjë”. Kështu ka deklaruar presidenti francez Francois Hollande në lidhje me rastin e Leonardës, 15-vjeçarja kosovare që u dëbua pak ditë më parë nga vendi.
Por nga ana tjetër Hollande ka shtuar se nëse vajza do të bëjë kërkesë, atëherë e drejta e qëndrimit në Francë do t’i jepet vetëm asaj dhe jo gjithë familjes së saj.
Në këtë mënyrë presidenti francez ka vlerësuar si korrekte proçedurën e dëbimit të familjes Dibrani drejt Kosovës. Menjëherë ka reaguar 15-vjeçarja, që e ka refuzuar ftesën: “Nuk kthehem në Francë vetëm. Nuk do ta braktis familjen time”.
Leonarda u arrestua gjatë një ekskursioni me klasën e saj dhe u dërgua në Kosovë bashkë me familjen e saj më 9 tetor.
Dy ditë më parë të paktën 6 mijë nxënës francezë zbritën në sheshin e Parisit, siç raporton edhe sindikata e gjimnazeve të Francës, duke kërkuar kthimin në Francë të vajzës kosovare.
Dhjetëra shkolla në të gjithë vendin u shndërruan në vend protestash dhe në disa prej tyre u ndalua të zhvillohej mësimi. Përveç kthimit të 15-vjeçares, nxënësit kërkonin kthimin në Francë edhe të armenit Katcik Kacatrian, një 19-vjeçar i dëbuar të shtunën e kaluar, i cili kishte jetuar në Francë prej vitit 2011.
Ajo që zemëroi më shumë organizatat e të drejtave të njeriut ishte mënyra e ndalimit të 15-vjeçares, e cila u mor me forcë nga autobusi i shkollës që frekuentonte prej 3 vitesh, në sytë e bashkëmoshatarëve të saj.
Top Channel