Duke filluar prej kësaj jave rikthehet në ekranin e Top Channel një prej programeve më të dashur për publikun, emisioni “E diell”.

Ky “show” do të shoqërojë çdo të dielë teleshikuesit në shtëpitë e tyre duke sjellë plot surpriza dhe ndryshime nga edicionet e kaluara, me një program të larmishëm e të mbushur me argëtim, informacione, por edhe lojëra të ndryshme.

Autor i spektaklit do të jetë Luigi de Filippis, një figurë e njohur e televizionit italian, i njohur për bashkëpunimin me Mara Venier, Rafaela Karra apo Pippo Baudon si dhe autor në programe tepër të ndjekura  televizive si “Domenica In” apo “Zechino D’oro”.

“Do të jetë një program me një brendi të lidhur ngushtë me cështje sociale. Do t’u japim më shumë mundësi të rinjve që do të jenë me ne, praninë e të cilëve e kam dashur shumë në këtë emision, sepse janë shpresa e cdo vendi. Do të jetë një mundësi për punë dhe shumë profesione, që nga gazetaria tek prezantimi, regjia dhe gjëra të tjera. Ky do të jetë një program i së dielës ku ne do të luajmë, do të kemi informacione kulturore dhe do të dëfrehemi në shoqërinë e tre prezantuesve, Arbanës, Ledionit dhe Xhemit. Pra do të hyjmë në majë të gishtave në shtëpitë e shqiptarëve, në shtëpitë tuaja ku shpresojmë të kalojmë shumë të diela të bukura, së bashku”, thotë autori De Filippis.

Përveç Xhemi Shehut, e cila prej kohësh eshte pjesë e “E Diell”, këtë edicion në skenë do të ngjiten edhe dy prezantues të tjerë, Arbana Osmani dhe Ledion Liço.

Arbana Osmani, prezantuese: Për mua E Diell është një sfidë e re e rikthimit. Përvoja që kemi patur para ca vitesh, pak muaj, bashkë me Xhemin ka qenë shumë e bukur. Megjithatë, rikthimi kësaj here është i ndryshëm. Do të kem një profil gazetaresk, atë që kam studiuar gjithë këto vite, që nuk e kam shfaqur në programet e tjera që kam drejtuar, tek Big Brother ose tek 1001 Pse. Është një program i gjatë, i mbushur me shumë rubrika, i cili shpresoj shumë të godasë në zemrat e të gjithë shqiptarëve.

Ledion Liço, prezantues: Të dielave e kalojmë në familje duke ngrënë atë drekën e famshme, të mbledhur gjithë së bashku, me njerëz që nuk kemi dot mundësi që t’i takojmë shpesh gjatë javës. Tani do të shtohet edhe programi “E Diell”, si dikur në Top Channel, që do na bëjë shoqëri, do ju bëjë shoqëri duke ju argëtuar, nga më të vegjëlit deri tek më të rriturit dhe do të ndryshojë për mirë jetën tuaj. Jetën e atyre që na ndjekin nga shtëpitë dhe të atyre brenda programit. Kjo është një dicka që ndodh absolutisht për herë të parë në këtë edicion të “E Diell”, kështu që mezi presim të fillojmë.

Programi këtë herë vjen me një studio të re, si dhe me një skenografi të fokusuar tek krijimi i një ambjenti të mbushur me dritë e ngjyra. Çdo element është menduar për t’u bërë pjesë e një spektakli, ku familjet shqiptare do të gjejnë një hapësirë për t’u dëfryer, por edhe për të kaluar disa orë të këndshme në shoqërinë e këngëve, lojërave, humorit dhe rubrikave të ideuara për shikues të të gjitha moshave.

Top Channel