Aktivisti kosovar Adem Demaçi ka deklaruar se qeveria e Kosovës nuk ka
mundur ta ndalojë vizitën e kryeministrit serb, Ivica Daçiç, pasi ajo
është kokë e këmbë e lidhur nga Brukseli.

Demaçi ka vlerësuar se edhe këtë herë Evropa po tregohet e padrejtë ndaj Kosovës dhe ka shprehur bindjen se, pavarësisht se është paralajmëruar si e karakterit fetar, vizita e Daçiç do të devijojë në politikë.

“Lëreni atë punë, sepse Daçiç për politikë po vjen në Kosovë. Të shtunën në Kosovë nuk ka asnjë festë fetare”, ka thënë Demaçi për gazetën “Epoka e Re”.

Ai ka shtuar se Serbia po përpiqet të krijojë një “Republika Srbska” në Kosovë dhe këtë, sipas tij, mund ta ndalojë vetëm kancelarja gjermane Angela Merkel.

Ditën e premte qeveria e Kosovës miratoi kërkesën e Daçiç për të vizituar vendin. Këtë e bëri të ditur kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë.

Shefi i ekzekutivit kosovar tha se homologu i tij serb do të vijë në Kosovë të shtunën. Sipas tij, vizita është e karakterit fetar dhe si e tillë do të përqendrohet në manastirin e Graçanicës.

“Më lejoni të sqaroj për të gjithë qytetarët e Kosovës, se kërkesa e kryeministrit të Serbisë është me karakter strikt religjioz dhe unë konsideroj që nuk ka asnjë arsye që të mos lejohet një vizitë e tillë”, deklaroi Thaçi.

Eskorta e kryeministrit të serbisë do të sigurohet nga policia e Kosovës. Kështu bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas Fisnik Rexhepit, këshilltar në këtë ministri, ende nuk është caktuar ora e vizitës në mananstirin e Graçanicës, por ajo do të zhvillohet në mesditë.

Sipas tij, Daçiç nuk do të jetë i shoqëruar nga ndonjë zyrtar tjetër i qeverisë së Serbisë, përvecse nga stafi i tij i ngushtë. Policia e Kosovës ndërkaq do ta shoqërojë atë nga kufiri i Kosovës me Serbinë deri në manastir, si dhe në rrugën e kthimit deri në kufi.

Top Channel