Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ftoi serbët e Kosovës që të dalin në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit dhe të punojnë për institucionet e Serbisë duke shkelur kështu rregullat e Prishtinës zyrtare që të mos bëjë deklarata politike gjatë vizitës në Kosovë.

“Kësaj radhe duhet të dalim të gjithë në zgjedhjet lokale që të zgjedhim pushtetin serb. Serbia nuk ju fton ju që të dilni në zgjedhjet lokale për Prishtinën, por për ju dhe për ne, që të keni pushtet i cili do t’i legjitimojë dhe artikulojë interesat tona serbe në Kosovë e Metohi. Nuk guxojmë të lejojmë dhe kjo është e turpshme që ka ndodhur në disa komuna tona, që të hedhim bomba ndaj njëri-tjetrit. Autoritetet e Prishtinës më kanë ndaluar herën e kaluar vizitën për në Shtërpçë. Pse?! Sepse kërkojnë që ne të mos ndikojmë se kush duhet votuar. Unë them se nuk është nevoja që ne të ndikojmë. Duhet votuar për ata që kanë qëndrim të njejtë me Beogradin dhe Serbinë”, tha Daçiç.

Manastiri i Graçanicës, komunës me shumicë serbe afër Prishtinës, ishte vendi nga i cili kryeministri serb shfaqi përkrahjen për subjektin politik “Nisma Qytetare Serbe” e cila garon për pushtetin lokal në zgjedhjet e 3 nëntorit. Dhe është ky subjekt politik që pikërisht në ditën që do të vinte Daçiçi, zhvilloi një tubim elektoral në qendër të Graçanicës.

“Serbia gjithmonë ka qenë me ne dhe ne tash duhet ta japim një votë për Nismën Qytetare Serbe”, ishte përmbajtja e njërës nga parullat të cilën qytetarët serb e mbanin në duar.

Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç nuk u ndal në tubimin e Nismës në qendër të qytetit. Njësiti i mbrojtes së afërt i Policisë së Kosovës dhe ai i Serbisë u bënë gardh për ta siguruar kryeministrin e Serbisë. Në manastir Daçiç takoi peshkopin Teodosje, por edhe zyrtarë të partisë së tij që veprojnë në Kosovë.

Edhe tubimi i Nismës Qytetare Serbe nga qendra u zhvendos në ambientet e manastirit nga ku kryeministri serb dha mesazhet e tij politike. Këtu ai madje ironizoi me kushtet e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi se vizita do të jetë me karakter fetar.

“Më është thënë se vizita ime e sotme këtu ka karakter fetar dhe kjo është e saktë. Sepse unë besoj në Serbi. Qeveria e Serbisë është përjetësisht e angazhuar që në Kosovë të dominojë paqja siguria dhe stabiliteti dhe që populli serb këtu të mund të jetojë i lirë. Sot është shumë e rëndësishme që serbët të jenë të bashkuar. Nuk ka ndihmë për popullin serb në Kosovë e Metohi, nëse Serbia nuk është e fuqishme dhe se Serbia nuk mund të jetë e fuqishme nëse nuk është e bashkuar,  dhe kështu ju ftoj të gjithëve në bashkim në interesat shtetërore  dhe nacionale”, tha Daçiç.

Dhe për t’i vënë kapakun vizitës së tij, që dukshëm iu shmang natyrës së paralajmëruar si religjioze, Daçiç shëtiti nëpër qendër të Graçanicës, njëjtë sikur të ishte duke bërë fushatë, u ndal e bisedoi me qytetarët serbë në një nga kafenetë e qytetit. Burime të Top Channel tregojnë se kjo ndalesë nuk ishte e rastësishme, por është futur mbrëmë vonë në axhendën e vizitës së kryeministrit serb.

Top Channel