Qeveria e Kosovës miraton kërkesën e kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiç për të vizituar Kosovën. Këtë e bëri të ditur kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë.

Shefi i ekzekutivit kosovar tha se homologu i tij serb do të vijë në Kosovë të shtunën. Sipas tij, vizita është e karakterit fetar dhe si e tillë do të përqendrohet në manastirin e Graçanicës.

“Më lejoni të sqaroj për të gjithë qytetarët e Kosovës, se kërkesa e kryeministrit të Serbisë është me karakter strikt religjioz dhe unë konsideroj që nuk ka asnjë arsye që të mos lejohet një vizitë e tillë”, deklaroi Thaçi.

Duke iu referuar zërave kritikë, kryesisht opozitarë për këtë çështje, Thaçi tha se qeveria e tij punon mbi interesat ditore të cilat mbizotërojnë në fushata elektorale.

Kryeministri po kështu kujtoi se Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë dhe atë për lëvizjen e lirë.

“Jemi në fushatë elektorale, e dimë se do të ketë menjëherë reagime nga spektri apo individë politik për karakter elektoral. Por unë i pyes këta kritikë se cila do të duhej të ishte përgjigjia e Kosovës që të mos tolerojë vizita në Manastir apo me karakter humanitar, të cilat dalin përtej politikës ditore apo shtetërore?”, u shpreh Thaçi.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç vjen në Kosovë në mes të fushatës elektorale për zgjedhjet e tre nëntorit. Ndërsa kjo vizitë proklamohet si e aprovuar nga qeveria, të tjerë zyrtarë serbë kanë hyrë e kanë dalë nga Kosova pa lejen e autoriteteve kosovare.

E tillë ishte edhe vizita e ministrit serb Aleksandar Vulin të entjen, të cilën vetë kryeministri Hashim Thaçi e quajti ilegale. Por pavarësisht se Vulin hyri në mënyrë ilegale në Kosovë, autroitetet kosovare nuk kanë ndërmarrë masa për ta parandaluar atë.

Eskorta e kryeministrit të serbisë do të sigurohet nga policia e Kosovës. Kështu bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sipas Fisnik Rexhepit, këshilltar në këtë ministri, ende nuk është caktuar ora e vizitës në mananstirin e Graçanicws, por ajo do të zhvillohet në mesditë.

Sipas tij, Daçiç nuk do të jetë i shoqëruar nga ndonjë zyrtar tjetër i qeverisë së Serbisë, përvecse nga stafi i tij i ngushtë. Policia e Kosovës ndërkaq do ta shoqërojë atë nga kufiri i Kosovës me Serbinë deri në manastir, si dhe në rrugën e kthimit deri në kufi.

Top Channel