Siri, opozita nën presion për “Gjenevën”

18/10/2013 02:20

Presioni sa vjen e rritet ndaj opozitës së përçarë siriane, për të qenë e pranishme në konferencën e paqes në Gjenevë muajin e ardhshëm, pavarësisht se ka shumë pak gjasa që ajo të ketë sukses në gjetjen e një rrugëdaljeje nga konflikti i përgjakshëm i vendit.

Qadri Jamil, zëvendës kryeministri i Sirisë, tha të enjten se eventi është parashikuar për më 23-24 nëntor. Diplomatët perëndimorë konfirmuan se këto data janë duke u marrë në konsideratë edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, i cili do të kryesojë konferencën. Lakhdar Brahimi, i dërguari special në Siri nga OKB dhe Liga Arabe, kishte thënë më herët se nuk ishte e sigurt nëse bisedimet do të zhvilloheshin në këto dy data të mesit të nëntorit.

Por, përçarjet e opozitës janë tashmë aq të thella, sa që ngrejnë dyshime serioze nëse ndonjë përfaqësues i besueshëm i tyre do të marrë pjesë në bisedime. SHBA-të, Britania, Franca dhe vendet e Gjirit Persik janë duke konsideruar ndihma të reja dhe stimuj të tjerë, për t’u siguruar për praninë e tyre. Çështja kryesore e dilemës në Gjenevë është krijimi i një qeverie tranzicioni dhe një rol specifik për Bashar al-Assad në të.

Diplomatët thonë se formati do të jetë i ngjashëm me konferencën e paqes së 1991, mes Izraelit dhe Arabisë në Madrid, me një nisje madhështore ceremoniale e më pas me bisedime të detajuara. Kritikët parashikojnë se edhe një proces i tillë nuk do të rezultojë i paefektshëm dhe tejet i ngadaltë.

Qeveria siriane ka konfirmuar pjesëmarrjen pa kushte të paracaktuara, por ende ka konfuzion në lidhje me termat e saj. Jamil mohoi muajin e kaluar një deklaratë që kishte bërë në një intervistë për “The Guardian”, se qeveria do të ofronte armëpushim. Assad i referohet gatishmërisë së tij për të pasur bisedime, por jo me “terroristë”, një term i përdorur shpesh nga qeveria për të gjitha forcat opozitare.

Përpjekjet për të mbajtur konferencën janë intensifikuar, që prej marrëveshjes së muajit të kaluar SHBA-Rusi për të çarmatosur Sirinë nga armët kimike, gjë që shmangu kërcënimin e një ndëshkimi me sulme ajrore nga SHBA-të dhe përforcoi pozicionin negociator të Assad.

Top Channel