Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë certifikoi listën përfundimtare të votuesve brenda vendit për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Ankesat e votuesve jashtë Kosovës, përkatësisht serbëve të cilët janë refuzuar për të votuar në Kosovë, bëjnë që një tjetër listë votuesish të certifikohet në ditët në vijim. Sidoqoftë, aktualisht numri i qytetarëve me të drejtë vote në tërë Kosovën është 1 779 357.

Kryesuesi i mbledhjes Florian Dushi bëri të ditur se rreth 50 mijë persona të vdekur janë hequr nga lista e votuesve, ndërkaq 18 mijë është numri i qytetarëve me të drejtë vote, por të cilët kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës. 24 075 është numri i votuesve të cilët kanë ndryshuar adresë nga një komunë në tjetër.
 
“Numri i votuesve që kanë ndërruar adresat brenda komunës është 27392, ndërsa 24 075 është numri i votuesve të cilët kanë ndryshuar adresë nga një komunë në tjetër”, tha Dushi.
 
Anëtari i lëvizjes Vetëvendosje në KQZ- së e quajti të kundërligjshme ndarjen në dy pjesë të listës së votuesve: “Nuk ka dy lista votuesish në bazë të ligjit, por vetëm një. Nuk ka mundësi që njërën ta certifikojmë e tjetrën jo sepse nuk mund të ekzistojnë dy lista.”

Të dhënat zyrtare tregojë për një rritje të numrit të votuesve nga zgjedhjet e kaluara me 191 mijë. Kjo rritje konsiston me numrin e votuesve të rinj që në këto zgjedhje kanë arritur moshën 18-vjeçare. Me 20 mijë është rritur numri i votuesve vetëm në Prishtinë. Ndërsa në zgjedhjet e kaluara Prishtina kishte 154 mijë votues të regjistruar, në zgjedhjet e ardhshme do të ketë 174 mijë.

Për herë të parë u publikuan shifra të veçanta votuesish për veriun dhe jugun e Mitrovicës. Kështu, numri i qytetarëve me të drejtë vote në jugun e Mitrovicës është 72 560, ndërsa në veri të Mitrovicës do të mund të votojnë 27 915 qytetarë.

Top Channel