Pas më shumë se një vit punime, të premten në Prishtinë u bë inaugurimi i sheshit “Zahir Pajaziti” nga kryetari i komunës, Isa Mustafa.

“Ky shesh është shumë i rëndësishëm, pasi krijon kushtet për aktivitete të ndryshme kulturore, sportive dhe ekonomike për qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Mustafa.

Sheshi ka një hapësirë prej 14.341 m² brenda të cilës janë 10.796m² sipërfaqe me pllaka, 1.862m² sipërfaqe e gjelbëruar, 4 shatërvanë, një amfiteatër i hapur, një kënd lojërash për fëmijët, 92 drunj dekorues, 180 shkurre të ndryshme, kioska për shitje të librave, etj.

Kosotoja totale për ndërtimin e këtij sheshi ka vlerën prej  4 milionë e 688 mijë euro. Qytetarët kanë mendime të ndryshme për punimet në shesh.

Të pranishëm në ceremoninë inauguruese ishin edhe vëllai i dëshmorit Zahir Pajaziti, zyrtarë të komunës së Prishtinës dhe qytetarë të kryeqytetit. Sheshi do të jetë në funksion të qytetarëve për aktivitete kulturore, sportive e ekonomike.

Zahir Pajaziti ishte një ndër themeluesit e UÇK-së, i cili ra heroikisht në janar të vitit 1997, në një pritë nga forcat serbe. Në vitin 2008, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu i akordoi atij dekoratën më të lartë të shtetit, Urdhërin Hero i Kosovës.

Top Channel