Policia greke zbuloi, gjatë një operacioni në afërsi të Larisës, një vajzë, për të cilën dyshohet se është rrëmbyer për t’u trafikuar.

Sipas policisë greke, vajza 4-vjeçare, tiparet e së cilës duken qartë se janë të ndryshme nga tiparet e popullsisë rome, u gjet në një kamp romësh, gjatë një operacioni për gjetjen e lëndëve narkotike.

Të pyetur prej agjentëve të anti-trafikut, dy ciganet, që fillimisht u deklaruan se ishin prindërit e fëmijës, u detyruan të pranojnë se e kishin rrëmbyer vajzën e vogël në vitin 2009.

Autoritetet greke thonë se kanë njoftuar menjëherë Interpolin, i cili është vënë në kërkim të prindërve biologjik të fëmijës.

Madje, për fatin e vogëlushes, emri i së cilës është Maria, është interesuar edhe kryeministri grek Andonis Samaras, i cili ka kërkuar të merren të gjitha masat për strehimin e saj dhe njëkohësisht t’i shkohet në fund hetimeve për gjetjen sa më shpejt të prindërve biologjik të saj.

Përsa i përket hetimeve, mbrëmjen e së premtes policia njoftoi se ka marrë materiale ADN-je, ndërkohë që agjentë të policisë greke kanë sekuestruar gjithë kartotekën dhe arkivin e gjendjes civile të Athinës, pasi prej informacioneve rezulton se vogëlushja ishte pajisur me çertifikatë lindjeje në Bashkinë e Athinës.

Burime policore thanë se autoritetet dyshojnë se kanë të bëjnë me një organizatë të trafikimit të fëmijëve, të përmasave europiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA