Kandidati i PDK-së për Prishtinën, Agim Çeku është zotuar se për katër vite të qeverisjes në Prishtinë nuk do të rrisë asnjë taksë për banorët dhe do të ulë ato ekzistuese.

“Për shembull do të ulim taksën për ndërtimin e objekteve afariste ose biznesore me 10 euro për metër katror dhe për shtëpi individuale me 6 euro për metër katror. Do të bëjmë lehtësira fiskale për bizneset e reja që mos t’i paguajnë taksë komunës për 3-5 vjet, varësisht nga grupi i punëtorëve që punëson. Ne do të bëjmë legalizimin e të gjitha objekteve dhe në mënyrë drastike do t’i ulim taksat që janë sot. Ne gjithashtu do të ulim taksën mbi pronën dhe do të caktojmë një afat se, kush i paguan borxhet e komunës, 50 për qind do t’u falet nga borxhi paraprak që e ka pasur”, deklaroi Çeku.

Ndërkohë, kandidati i lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, i shoqëruar nga lideri i partisë Abin Kurti dhe anëtarë të tjerë kanë bërë fushatë duke udhëtuar me autobusë të trafikut urban në kryeqytet.

“Sot ndodhemi në lagjen Kodra e Trimave. Faleminderit që na ndoqët deri këtu, sepse ne përdorëm transportin publik, autobusin, vetëm për të kërkuar të paramendoni se si mund të jetë një kohë kur politikanët, e posaçërisht ata që janë në poste publike, përdorin transportin publik në vend të xhipave të tyre. Gjithashtu, në vend të premtimeve megalomane të cilat po i bëjnë të tjerët, ne jemi zotuar në gjëra të thjeshta të cilat tregojnë edhe zotimin tonë për sektorin publik për shërbime publike. E patë sa shpejt erdhëm këtu? Për 7 minuta prej qendrës”, u shpreh Ahmeti.

Ndërsa, fushata e kandidatit të AAK-së për kryeqytetin, Besnik Tahiri të premten u fokusua në menaxhimin dhe mirëmbajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore. Ai premtoi avancim të turizmit kulturor, përpilimin dhe zhvillimin e guidave turistike, si dhe strategjinë për promovim dhe sensibilizim të qytetarëve për trashëgimi kulturore.

“Këto objekte kanë dalë këtu. Prej 13 vjetësh kanë mbetur në llastra. Udhëheqësit e komunës sorollaten poshtë e përpjetë dhe ju thojnë jo këtë vit, jo në atë vit. Një fjalë popullore thotë: ‘herë në atë t’enjte, herë në këtë të enjte’. Nuk ka asnjë veprim konkret sa i përket stimulimit të artiznateve”, deklaroi Tahiri.

Top Channel