De Filippis: Ju tregoj “të Diellën” time

18/10/2013 00:00

Luigi de Filippis, bashkëpunëtori i ngushtë i Raffaella Carra, Mara Venier, Pippo Baudo. Autori i spektakleve më në zë të Italisë si “Domenica in”, “Isola dei Famosi”, “Zecchino D’oro”, tashmë autor i “E Diell”, mbërriti këtë premten në studion e “Pasdite”-s për një intervistë eksluzive përballë Ulpiana Lamës.

Pasditja – Takimi i përjavshëm i së dielës rikthehet falë Luigi de Filippis. Ne i urojmë mirëseardjen në Shqipëri dhe në familjen e “Top-Channel”. E keni gjë Maria de Filippin?

Luigi de Filippis – Jo, nuk kemi lidhje farefisnore, thjesht njihemi. Unë kam një “s” më shumë dhe ajo një më pak.

Pasdite
– Sa emisione keni bërë gjithsej?

Luigi de Filippis – Unë jam një autor tepër i thjeshtë dhe kam mësuar të bëj televizion. Sot më kanë thirrur këtu, në këtë familje të “Top-Channel” dhe kam gjetur një mikpritje tepër të mirë, ndaj besoj se do të realizojmë një program të mirë. E the mirë më parë, kur the që për të bërë një program duhet të kesh edhe përbërësit e mirë, një skuadër të mirë dhe këtu kam gjetur djem, vajza dhe drejtues të mrekullueshëm, që më kanë krijuar të gjithë kushtet për të realizuar këtë program.

Pasdite
– Të falenderoj, por më tërheq vëmendjen pamja me Baudon që i mban këmbën Celine Dionit (shfaqet fotoja në studio)? E kujt ishte kjo ide?

Luigi de Filippis – Ishte e Pippos, pasi ai është një njeri i madh i televizionit jo vetëm italian, por edhe botëror. Pippo ka dhënë stimuj dhe mësime gjithmonë, është një njeri i jashtëzakonshëm e tepër i kulturuar, që të bën të ndihesh mirë, e të punosh duke u zbavitur njëkohësisht.

Pasdite – Kur e ke njohur Baudon?

Luigi de Filippis – Pippo  është i pavdekshëm, nuk ka moshë (qesh). Unë besoj se do të ketë rreth 15 vjet që njihemi dhe është gjithmonë një kënaqësi e madhe të jesh pranë tij e t’i vjedhësh atij ide.

Pasdite – Ishe autor i emisionit të tij?

Luigi de FIlippis – Unë kam bashkëpunuar, por nuk kam qenë kam autor. Ne ishim të gjithë së bashku në të njëjtën shtrirje frekuence.

Pasdite – Për etikë profesionale e kuptij që nuk do të rrëshqisni në gossip, por kur fliten emra të tillë të famshëm të televizioneve italiane do të bëjmë ndonjë koment, si përshembull për Raffaella Carra?

Luigi de FIlippis – Carra? i detyrohem shumë asaj para së gjithash dhe Sergio Iachinos, pasi nga ta kam mësuar të bëj tv. Ata janë të jashtëzakonshëm, Rafaella është e shkëlqyer. Kam shëtitur të gjithë botën me ta, pasi Rafaella është një njeri që i pëlqen transparenca dhe realiteti, pa trillet televizive. Unë kam shëtitur në Argjentinë, Brazil, Paraguaj, Uraguaj, Rusi, Ukrainë, Afrikë, për të gjetur histori të cilat lidheshin me programin. Histori me vërtetë prekëse dhe kontekst seroiz. Carra kontribuonte për ribashkimin e njerëzve që nuk shiheshin nga dekada dhe ndaj të kapte një emocion shumë i fortë.

Pasdite – Pse nuk i takonte të ftuarit e saj përpara?

Luigi de FIlippis – Duhet ta kapësh në moment, në atë çast, nuk duhet të jetë një trill. Unë para dy ditësh isha në zyrën e marketingut këtu tek ju dhe një bashkëpunëtore u kujtua për një ribashkim kur Rafaella bashkoi dy fëmijë nga Senegali, e më bëri mua një falenderim special. Ishin dy fëmijë të vegjël që ishin braktisur nga nëna dy orë pas lindjes. Nëna dhe bashkëshorti jetonin në Bergamo dhe ne i sollëm fëmijët në Itali. Ishte një prej episodeve më të ndjeshme dhe të këndëshme, ndaj Carra bëri edhe një falenderim special ndaj meje.

Pasdite – Ju flisni me shumë respekt për këta prezantues, por listës së emrave i shtohen dhe shumë të tjerë. Si përshembull Mara Vernier.

Luigi de Filippis – Me të kam bërë dy vite “Domenica in” dhe ishim dy autorë. Unë kam jetuar një vit të mrekullueshëm me të, është një grua fantastike që në 6 të mëngjesit ishte e zgjuar dhe në 6.30 të merrte në telefon e të pyeste në i kisha lexuar gazetat. Është një grua që punon me programin e saj në mënyrë shumë intensive, ka aftësi dhe kulturë të madhe për të kuptuar e ndryshuar edhe gjatë emisionit.

Pasdite – Si ia bën një grua, e cila zgjohet në gjashtë të mëngjesit, për të qenë në kulmin e saj në katër të drekës?

Luigi de Filippis –  Mara, përpara se të jetë një grua e spektaklit është edhe një nënë dhe do të them që ajo di t’i ndajë ditët e saj. Natyrisht, ajo të bën të ndihesh mirë siç bën edhe me të ftuarit, ndaj ajo e drejton ditën në këtë mënyrë. Një njeri me ndjeshmëri njerëzore tepër të thellë dhe ka shumë raste që kemi folur edhe për gjëra personale, e kalonim orë të tjera duke folur.

Pasdite – Marrëdhënia e autorëve me talentet, cila është? Në Itali, talentet kanë kapriçot e tyre besoj?

Luigi de Filippis
– Kanë tekat e tyre pa fund. Do të tregojë një anektodë me Madonën në “Caramba che Sorpresa”. Kishte ardhur për të promovuar një disk, por nuk ishte e mundur të bisedoje me të. Foli vetëm me Carra-në personalisht dhe të gjithë pjesën tjetër ne komunikonim me të nëpërmjet shtatë personave të tjerë, pasi marrëdhëniet e saj private i mbulojnë të tjerë. Këto janë kapriço të këtyre vipave që duan të ketë gjithmonë një gjendje pritje rreth tyre, kjo më ka befasuar, por unë kam marrëdhënie të mirë me shumë artistë që shumë prej tyre janë të thjeshtë dhe që kur i njeh kupton që kanë probleme si të gjithë ne. Gjëja e parë që këshilloj drejtuesit e ardhshëm është të studiojnë, pasi improvizimi nuk të shpërblen kurrë, profesionalizmi është i pazëvendësushëm në këtë profesion.

Pasdite – Kishit qenë më herët në Tiranë?

Luigi de Filippis
– Jo, s’kam qenë kurrë më parë. Mbërrita në gusht, pastaj u ktheva disa herë, ndërsa këtu jam në mënyrë të qëndrueshme nga 20 ditë dhe jam befasuar që gjeta një qytet në ndryshim të vazhdueshëm. Ka shumë të rinj, dëshirë për të bërë gjëra dhe kjo është diçka shumë pozitive. Nuk dua të merrem me politikë, por ajo që vë re është një ndryshim i jashtëzakonshëm e të duket sikur sheh Italinë e viteve 60, kur kishte një fuqizim të madh të ekonomisë. Uroj që të eci i gjithë populli shqiptar në këtë rrugë. Unë ndiej një forcë pozitive ndaj i uroj këtë.

Pasdite
– Nga niveli i kulinarisë s’ka shumë dallime me Italinë besoj?

Luigi de Filippis – Këtu hahet shumë mirë, gati njëlloj si në Itali. Ajo që është ndryshe është se këtu shoh produkte që kanë më shumë shije dhe aromë, pasi janë origjinalë, janë të mirëfillta. Përshembull, sallata që blej në Itali nuk ka të njëjtën shije dhe aromë si këtu.

Pasdite – Si e latë Italinë nga niveli profesional?

Luigi de Filippis – Duke folur për profesionin kisha disa projekte. Kisha vendosur të mos bëja për disa kohë televizion pas 20 vitesh në ekran dhe kam dy projekte, kinematografikë ku njëri film ka një domethënie shumë të rëndësishme, të mikut më të mirë të fëmijërisë të Papës, që tregon të gjithë historinë e tij, gjatë rritjes, Luftës së Dytë Boterore, kampet, ribashkimin në Pragë… Ky libër ka dëshmi të rëndësishme dhe po përgatisim një film ku unë jam bashkëproduktor, pasi ky film kërkon 30 milionë euro investim e një kast ndërkombëtar. Pastaj, kurrë s’kam patur probleme me papunësinë dhe kam qenë pjesë e një grupi autorësh tek “RAI” që se kemi pasur kurrë këtë problem. Unë s’kam punuar kurrë me “Mediaset”, jo për zgjedhjen time, pas ne jemi si futbollistët që ndryshojnë skuadër. Ah, po, 23 vjet më parë duhet të regjistrohesha në urdhërin e avokatëve, e bëra dy vjet më parë, por nuk e ushtroj kurrë këtë profesion.

Pasdite – Mbase mund të jeni avokati i yjeve të TV?

Luigi de Filippis – Patjetër, ndoshta një ditë mund ta bëj. Megjithatë, unë jam i diplomuar për drejtësi.

Pasdite – Çfarë ka ndryshuar ndër vite në television?

Luigi de Filippis – TV ka një problem të madh sot, autorët nuk krijojnë më, por marrin formatet. Kjo s’do të thotë të jesh autor, por të zbatosh idetë e të tjerëve, e kështu nuk shpreh atë që dëshiron të marrësh, edhe pse ky është një sistem ndërkombëtar sot, prandaj merret një program, eksperimentohet, ia japin shteteve të ndryshme dhe shohin sa i suksesshëm mund të jetë e kështu veprohet, por TV e një herë e një kohe krijohej nga asgjëja, kjo nuk është një meritë. Dmth, sot ka rëndësi si e zbaton këtë program, pastaj idetë janë të njëjta.

Pasdite – Çfarë duhet të bësh të qëndrosh në botën e TV për shumë vite?

Luigi de Filippis – E para thjeshtësia, të kuptosh që je njeri me fat sepse hyn në shtëpitë e njerëzve pa trokitur në derë. Duhet të japësh një ndienjë të thellë korrektësie e mësimdhënie, pasi je një shembull për njerëzit. Është një rrugëtim formues, por edhe i rrezikshëm.

Pasdite – TV të ka dhënë shumë, çfarë të ka marrë?

Luigi de Filippis – Nuk kam folur kurrë më parë, por ndoshta kam sakrifikuar familjen, unë jam miqësisht i divorcuar. Ajo është një nënë e mrekullueshme dhe kemi një vajzë 14 vjeç, por jemi ndarë pasi televizioni të thith energjinë 24 orë. Duhet të them që ndoshta është kjo e vetmja gjë që kam humbur.

Pasdite – Kanë mbetur më pak se 48 orë në rifillimin e së “Diellës”, duam të dimë diçka më shumë.

Luigi de Filippis – Pa dyshim nuk do t’i zbuloj të gjithë sekretet, por mund t’iu them që kemi menduar për një emision përpara të gjithash për një audiencë familjare, me tematika sociale, zbavitje, kuice me çmime. Do të kemi një pjesë të emisionit me intervista, me të ftuar, me balet, muzikë, të gjithë ato çështjet që njerëzit presin të shohin në emisionin e së dielës. Dua të them që kam pasur vështirësi pasi nuk do të ishte e sjellshme të shkoj në setin e përjavshëm të “Top-Channel” dhe kemi bërë një ndarje, kemi bërë një ndryshim për të mos u futur në programet e tjera, është një vendim i kujdesshëm në fazë eksperimentale, por do të jetë një “E Diell” shumë e këndshme që shpresoj të ketë një mënyrë të re për të hyrë në shtëpitë e njerëzve. Do të jetë një program që do të përmbajë, në thonjëza, protagonist vetë publikun nga shtëpia, të shoqëruar me tre prezantues të famshëm, Xhemi Shehu, Ledion Lico dhe Arbana Osmani. Arbana m’u duk kur e pashë, një “kafshë skenike”. Ne e përdorim këtë fjalë për të përshkruar një njeri që mund të bëjë gjithçka në televizion. Ledio është shumë energjikë, edhe Arbana është version femëror i prezantuesit. Ledioni e Xhemi janë shpërthyes, ajo është një vajzë e ëmbël e shtëpisë, kësisoj besoj që me këto tre forca do të bëjmë një program të shkëlqyer.

Pasdite
– Këta prezantues kanë një sinergji edhe në jetën private, duke qenë miq të mirë edhe në të.

Luigi de Filippis – Këtë e kam vënë re dhe unë, aq sa i kam quajtur tre mosketierët. Janë gjithmonë bashkë

Pasdite – Jeni ende përpara serisë së parë. Çfarë mund të thoni më shumë?

Luigi de Filippis – Skuadra është e fuqishme, unë kam një drejtor që quhet Adrian që më dëgjon dhe më jep shumë fuqi për të vazhduar me punën time, kam një redaksi që nuk i përmend dot të gjithë. Përshembull, kur i kam njohur i thashë jam Luigi, përpara se të jem autori dhe jam këtu që të më vidhnin zanatin. Do të doja ta nisja këtu nga Shqipëria dhe kur të iki të lë disa autorë që bëjnë punën time. Unë po u jap atyre një mënyrë të ndryshme se si bëhen programet, në Itali bëhet ndryshe. Programin e bëjnë 6-7 autorë, në “Domenica in” ishin 30 përshenbull, ndërsa unë kam një ekip që vlen për një qind. Një forcë e jashtëzakonshme që nga drejtuesja Vjollca, ndeshemi edhe për çështjet e spoteve, mua më pëlqen shumë profesionalizmi i saj.

Pasdite – Ju keni një muaj në Shqipëri, keni kuptuar diçka, cilat janë temat që realisht i interesojnë shqiptarëve? Do të shohësh emisionet, ç’mund të përmirësosh, je i hapur të ndryshosh gjërat?

Luigi de Filippis – Një autor duhet të jetë gjithmonë i hapur, një autor edhe mund të gabojë, pasi nëse nuk gabon nuk mund të mësosh, por mendoj që tematikat që janë këtu në Shqipëri janë të njëjta edhe për italianët. Jemi pak të ngjashëm, unë zgjohem në mëngjes dhe më duket vetja si në Romë. Më përpara më shihnin me pak kuriozitet, por tani më trajtojnë si një qytetar më shumë të Tiranës.

Top Channel