Shtrirja dhe shkalla e përgjimeve masive të ndërmarra nga agjencitë britanike të spiunazhit do të shqyrtohet në një hetim madhor që do të nisë formalisht të enjten.
Inteligjenca e Parlamentit dhe Komisioni i Sigurisë (ISC), trupa që ka për detyrë të mbikqyrë punën e GCHQ, MI5 dhe MI6, do të deklarojnë se hetimi është një përgjigje ndaj shqetësimeve të ngritura prej materialeve të rrjedhura nga spiuni amerikan, Edward Snowden.
Malcolm Rifkind, kreu i komisionit, tha se: “një debat informues dhe i duhur është i nevojshëm”. Një burim nga “Whitehall” e përshkroi hetimin si “një hetim publik ndaj gjithçkaje, por pa përmendur emra”.
Njoftimi vjen 4 muaj pasi “The Guardian” dhe grupe të tjera kryesore mediatike në vende të tjera, përfshi “New York Times” dhe “Washington Post”, nisën të zbulonin detajet e programeve të përgjimeve sekrete, të lançuara nga qendra britanike e përgjimeve, GCHQ, dhe homologët amerikanë, Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA).
“The Guardian” insistoi për një debat në lidhje me programe si “Tempora” i GCHQ-së apo “Prism” i NSA-së, që lejojnë agjencitë në fjalë të sigurojnë sasira të mëdha të të dhënave personale nga miliona njerëz, informacione sekrete që shpesh herë shkëmbehen mes dy vendeve në fjalë.
Në ndryshim me protokollin e tij të zakonshëm, Komisioni, normalisht i fshehtë, njoftoi gjithashtu se pjesë të hetimeve do të mbahen edhe në publik. Ai do të marrë prova me shkrim nga grupet e interesit dhe publiku, si dhe do të vlerësojë materialet sekrete të ofruara nga agjencitë e inteligjencës. Edhe “The Guardian” po konsideron dhënien e informacioneve.
Top Channel